Zyrtari i lartë gjerman: Reforma në drejtësi parakusht për integrimin

Shqipëria

Zyrtari i lartë gjerman: Reforma në drejtësi parakusht për integrimin

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 12:47
Christian Lange

Vetëm pak javë na ndajnë nga tetori, kohë kur do të vendoset dhe për hapjen ose jo të negociatave mes Shqipërisë e BE-së. E mbi këtë çështje, Berlini zyrtar ka dhënë një mesazh këtë të hënë përmes sekretarit parlamentar të shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë Christian Lange, i cili është shprehur se parakusht për integrimin e Shqipërisë mbetet reforma në drejtësi.

Lange ka theksuar dhe nevojën imediate që në Shqipëri duhen ngritur gjykatat kushtetuese dhe ajo e lartë, përfshi këtu dhe institucionet e reja të drejtësisë si SPAK dhe BKH.

“Reforma në drejtësi është një parakusht i rëndësishëm për procesin e përafrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria Federale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe transparent është themeli për çdo shtet të së drejtës dhe çdo demokraci. Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një proces unik në të gjithë rajonin, i cili tashmë ka arritur synime të rëndësishme dhe hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, e cila duhet të orientohet vetëm nga e drejta dhe ligji. Unë përshëndes faktin që reforma në drejtësi po përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe që institucionet e krijuara të drejtësisë kanë filluar punën. Tani më duket e rëndësishme që ndër të tjera Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm. Në mënyrë që reforma në drejtësi të marre më tej vrrull, duhet që të gjithë institucionet e përfshira të vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të fokusuar. Gjermania mbështet me ekspertizë dhe resurse reformat në shumë fusha dhe do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen”, ka thënë zyrtari gjerman Christian Lange.

Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ndodhet në një vizitë dy ditore në Tiranë me një axhendë të ngjeshur. Ai ka takime me Presidentin Meta, kryeministrin Rama, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi si dhe me Ambasadorin e EU-së Luigi Soreca dhe përfaqësues së EURALIUS-it.

DEKLARATA E PLOTË E ZYRTARIT GJERMAN:

Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ndodhet në Shqipëri nga data 15 deri më 17 shtator për të zhvilluar biseda.

Në kuadër të programit të vizitës së tij në Shqipëri ai po zhvillon takime dhe biseda shkëmbyese rreth reformës në drejtësi dhe marrëdhënieve bilaterale me: Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi si dhe me Ambasadorin e EU-së Luigi Soreca dhe përfaqësues së EURALIUS-it. Sekretari i Shtetit Lange u shpreh gjatë vizitës së tij në Tiranë si më poshtë vijon:

„Me vizitën time dhe bisedat që po zhvilloj në Shqipëri dëshiroj të krijoj një ide për gjendjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është një parakusht i rëndësishëm për procesin e përafrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria Federale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Një sistem drejtësie i pavarur, profesional dhe transparent është themeli për çdo shtet të së drejtës dhe çdo demokraci. Reforma e drejtësisë në Shqipëri është një proces unik në të gjithë rajonin, i cili tashmë ka arritur synime të rëndësishme dhe hap rrugën për një drejtësi të reformuar tërësisht, e cila duhet të orientohet vetëm nga e drejta dhe ligji. Unë përshëndes faktin që reforma në drejtësi po përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe që institucionet e krijuara të drejtësisë kanë filluar punën.

Tani më duket e rëndësishme që ndër të tjera Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm. Në mënyrë që reforma në drejtësi të marre më tej vrull, duhet që të gjithë institucionet e përfshira të vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të fokusuar. Gjermania mbështet me ekspertizë dhe resurse reformat në shumë fusha dhe do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen.

Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat