Borchardt: Debatet publike mbi krimet e sistemeve totalitare, pozitive për shoqërinë

Shqipëria

Borchardt: Debatet publike mbi krimet e sistemeve totalitare, pozitive për shoqërinë

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 18:27
Bernd Borchardt

Në ambientet e kuvendit të Shqipërisë u shfaq pasditen e sotme, dokumentari gjerman “Paqe përmes Drejtësisë–Trashëgimia e Thomas Buergenthal”.

Në shfaqjen e këtij dokumentari ishte i pranishëm kryetari i kuvendit, Gramoz Ruçi, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt si dhe përfaqësues të jetës publike e shoqërore.  Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se dokumentari përçon një mesazh të qartë, sipas së cilit, rrugët institucionale janë përgjigja ndaj çdo padrejtësie.

“Mesazhi i tij është i qartë. Urrejtja nuk luftohet me urrejtje, shtypja nuk eliminohet me shtypje, dhuna nuk kërkon dhunë, padrejtësia nuk dëbohet nga e njetja padrejtësi. Përkundrazi, ai zgjodhi rrugën e kontributit të tij njerëzor, institucional dhe profesional duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme të një shoqërie më të drejtë e më të mirë”, -tha Ruçi.

Nga ana e tij, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt tha se publikimi i dokumentarëve të tillë, që sjell në vëmendje krimet e së kaluar në sistemet totalitare, janë pozitive pasi hapen debate publike.

“Gjithmonë ekziston pyetja sesi të përballemi me krime të së kaluarës, kur shtetet lëvizin nga sisteme totalitare qofshin ato komuniste apo fashiste, si mund të përballemi me një të kaluar djallëzore, cila është forma më e mirë për t’u përballur me një të kaluar djallëzore që ndihmon në krijimin e një rendi të ri liberal, si të kenë drejtësi viktimat, si të krijojmë një rrëfim të ri më çlirues. Duke parë, duke folur për këtë film rreth mesazheve të tij mbi përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, nga këndvështrimi im është një hap transformues. Do të thotë që, ende ka diçka që do të diskutohet nga përfaqësuesit e shoqërisë shqiptare”, -tha ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Dokumentari paraqiti punën e gjyqtarit Thomas Buergenthal dhe është në vijim të nismave të Prezencës së OSBE-së për të nxitur debatin e bazuar në fakte për krimet kundër njerëzimit dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë së krimeve ndërkombëtare.

Dokumentari u shfaq në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, të cilin Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur prej vitesh, si një mjet për të përkrahur të drejtat e njeriut në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat