Verdikti për Saimir Tahirin, reagon ambasada e SHBA-ve

Shqipëria

Verdikti për Saimir Tahirin, reagon ambasada e SHBA-ve

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 15:47
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë

Nuk ka kaluar shumë kohë kur ish ambasadori i SHBA-ve Donald Lu fliste për “peshqit e mëdhenj” të politikës dhe mbrëmja e djeshme ishte një rast për të vërtetuar deklarimet e kahershme.

Por sot, disa orë pasi gjykata e krimeve të rënda e shpalli fajtor Tahirin vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka përcjellë një mesazh me “dy momente”.

Së pari në reagimin e tyre mbi një ndër proceset më të rëndësishme gjyqësore, Ambasada shprehet se vendimi për Tahirin dhe shpallja e tij fajtor, ishte një hap përpara. Por nga ana tjetër, Ambasada nuk e fsheh “zhgënjimin” duke thënë se rënia e dy akuzave më të rënda që peshonin në dosjen e Tahirit dhe masa e dënimit ishin “shkurajuese”.

REAGIMI I AMBASADËS:

Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.

Kujtojmë se në seancat gjyqësore ndaj Tahirit kishte përherë nga një ose më shumë përfaqësues të SHBA-ve që ndiqnin gjyqin. Madje mbrëmjen e djeshme, personat që dolën të fundit nga gjykata e krimeve të rënda ishin pikërisht përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Saimir Tahiri u dënua vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa akuzat e grupit të struktuaruar kriminal dhe trafikut të drogës u rrëzuan nga gjykata. Dënimi që mori Tahiri mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës u përkthye në 3.4 vite burgim, i konvertueshëm në shërbim prove, duke e lënë kësisoj të lirë ish- Ministrin nga 4 muret e një qelie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat