Plani antikrizë i PD, Basha: Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci

Shqipëria

Plani antikrizë i PD, Basha: Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 10:59
Lulzim Basha

Lulzim Basha ka folur për një plan antikrizë të përgatitur nga Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar, që synon të nxjerrë vendin nga kriza politike ku ndodhet dhe t’i hapë rrugë proceseve integruese.

Por që ky plan të ketë sukses, kryedemokrati theksoi se duhet vullnet i sinqertë politik dhe këtu përgjegjësia bie mbi Qeverinë, e cila, sipas Bashës, nuk ofron asnjë garanci.

“Sot, opozita e bashkuar ka parashtruar edhe në tryezën e thirrur nga OSBE, se duhet vullnet i sinqertë dhe i vërtetë politik. Këtë përgjegjësi e ka Qeveria. Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci, siç nuk ofroi në 2017, në 2019, për ndarjen e shtetit nga krimi dhe zhvillimin e procesve normale demokratike”, tha ai.

Sipas Bashës, zgjidhja politike nuk mund të vijë nga shkaktarët e krizës, të cilët i identifikoi me kryeministrin Edi Rama.

“Zgjidhja politike nuk kërkon vetëm ndryshime ligjore dhe administrative, por vullnet politik dhe zgjidhje politike, të cilat nuk mund të vijnë nga shkaktarët e kësaj krize. Edi Rama duhet të marrë përgjegjësinë për dështimin. PS duhet të reflektojë për këtë krizë të rëndë politike, ekonomike dhe sociale. T’i hapin rrugë vendit, t’i hapin rrugë zgjidhjes së krizës”, tha Basha.

I pyetur nëse pranon një tryezë dialogu me Ramën kryeministër, Basha nuk dha një përgjigje te prerë: “ Nuk po fërkojmë duart, përkundrazi po prodhojmë një plan antikrizë për ta nxjerrë vendin nga kriza. Minimumi që kërkohet është që përgjegjësi i vetëm për këtë dështim të bëjë të njëjtën gjë, t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës dhe të jenë qytetarët që do të vendosin me votë të lirë e të ndershme.”

Basha theksoi se ka pranuar një plan ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës që më 9 qershor, por ishte Rama që refuzoi.

As unë, as PD dhe as opozita e bashkuar nuk kanë qenë pengesa për dialogun politik për t’i dhënë fund krizës. Ne i kemi thënë po propozimit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës që më 9 qershor. Ai që ka refuzuar është Edi Rama.  Shkaktari dhe fajtori për refuzimin e asaj oferte është Edi Rama”, tha kreu i PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat