Basha: Rama nuk e do integrimin, dështimi mban vulën e tij

Shqipëria

Basha: Rama nuk e do integrimin, dështimi mban vulën e tij

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 13:39
Lulzim Basha

Kreu i PD, Lulzim Basha tha se kryeministri Rama është i vetmi person, fajtor për dështimin e negociatave me BE.

Në një konferencë me gazetarët, kreu i opozitës deklaroi se Rama dështoi në dy mandate me integrimin dhe për këtë duhet të hapë krahun, që shqiptarët të mos paguajnë më faturën e dështimit të tij.

Basha: Me mënyrën si Rama po rrezikon rrugën shqiptare të integrimit, shpejt do të tregojë me gisht fajtorët. I vetmi që nuk do ketë asnjë faj do jetë vetvetja.

Fjalimin që ja parashikova para dy muajsh sapo e mbajti në parlament.

Është dështimi i tij personal, nuk është dështimi i shqiptarëve.

Ky dështim, ka vetëm vulën e tij përsipër. Premtoi se do hapte negociatat dhe dështoi siç ka premtuar në çdo premtim tjetër.

Ky nuk është dështimi i parë, por dështimi më i freskët në kaosin dhe krizën ku e ka futur vendin.

Shqipëria është në krizë, shqiptarët po largohen, ndërsa kushtet e Evropës për Shqipërinë po shtohen, ndërsa vendet e tjera të rajonit po ecin përpara.

Edhe sot i iku përgjegjësisë. Rama fakton para shqiptarëve se ai nuk e do integrimin  Evropian. Një vend që kërkon të bëhet anëtare e BE, në një vend të tillë një kryeministër që bën ligje për të vjedhur popullin e vet nuk zgjat dot as 24 orë.

9 kushtet e Bundestagut gjerman përbëjnë një udhërrëfyes për daljen nga kjo krizë.

Basha: Rama të hapë krahun, që shqiptarët të mos paguajnë më faturën e dështimit të tij!

Vendi është në krizë të gjithëanshme. Ekonomia është në kolpas dhe kushtet e Shqipërisë sa vijnë e shtohen. Ishin 5, u bënë 7, tani  janë 9. Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi se këto vende janë kundër zgjerimit, pse i thonë PO Maqedonisë dhe Jo Shqipërisë? Arsyeja është e thjeshtë. Edi Rama ka dështuar në secilën prej fushave ku është kërkuar progres dhe tani i ikën përgjegjësisë. Duke i ikur përgjegjësisë për krimin, blerjen e votave, mbrojtjen e kriminelëve, që u faktuan në ekipin e tij qeverisës, duke iI ikur përgjegjësisë për mbrojtjen që u bën personave në listën e zezë të SHBA Vangjush Dako dhe Tom Doshi, duke i ikur përgjegjësisë se Shqipëria është bazë ndërkombëtare për drogën, Edi Rama faktohet se nuk e do integrimin europian. Në një vend që kërkon të bëhet anëtar, një kryeministër që bën ligje për të vjedhur popullin e vet që fut kriminelë në politikë dhe mban ministra të lidhur me krimin, nuk zgjat dot 24 orë.

9 kushtet e Bundestagut përbëjnë një udhërrëfyes për daljen nga kriza. Nuk kemi kohë për të humbur. Tani është koha që njerëzit e përgjegjshëm të tregojnë se dinë t’i dalin zot vendit. Në këtë kohë të vështirë kur biznesi është në kolaps, kur punësimi është zero dhe papunësia po rritet, kur frigoriferët e shqiptarëve janë bosh dhe nuk paguajnë dot taksat dhe faturat e rritura të energjisë dhe ujit, kur krimi dhe korrupsioni po bën kërdinë, kur rrugët tona bëhet skena të përleshjesh, kur rinia e ka mendjen të ikë nga vendi, vendi ka mbetur në marsh indietro, ndërsa Edi Rama e ka mendjen të krekoset dhe të tregojë me gisht fajtorët imagjinarë. Dështimet e Edi Ramës po i paguajnë qytetarët, po i paguan rinia, po i paguajnë pensionistët, fermerët, janë ata, jeni ju të dashur qytetarët. Është e qartë që atë që premtoi dhe që nuk e arriti dot për dy mandate nuk ka shans ta arrijë më. Ndaj ka ardhur koha të hapë krahun dhe të lejojë një vizion të ri, me rrugë të re dhe mundësi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhje për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë. Nuk ka pse të jemi në këtë gjendje, nuk e meritojnë shqiptarët këtë gjendje, nuk e meritojnë shqiptarët këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat