Nënë e bijë u mbytën në gropën e ujit, flet fqinji: Ishte e tmerrshme

Shqipëria

Nënë e bijë u mbytën në gropën e ujit, flet fqinji: Ishte e tmerrshme

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 10:18
Nënë e bijë u mbytën në gropën e ujit

Hyri për të shpëtuar vajzën, mbyten në gropën e ujit nënë e bijë. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Alarup në Pogradec, teksa nënë e bijë janë mbytur në një gropë uji që shërbente për vaditjen e tokave.

Alarupi, një fshat i thellë i Njësisë Administrative Çërravë, përballet me kushte të vështira ekonomike. Kjo gjendje çoi edhe në shkaktimin e kësaj tragjedie të rëndë. Tokat bujqësore ndodhen rreth 1 km larg fshatit dhe mungesa e ujit për vaditje i ka detyruar banorët që të hapin vetë gropa dhe të vaditin prodhimet e tyre. Sherif Lilo, banor i fshatit Alarup, tregon se hapja e gropave që grumbullojnë ujin e shiut për vaditje është një praktikë e të gjithë banorëve të zonës, të cilët e shohin atë si të vetmen mundësi për të prodhuar diçka nga tokat e tyre, pasi skemë vaditëse nuk ka.

Si e mësuat ngjarjen? 

Image

Unë nuk ndodhesha në fshat. Nga bashkëfshatarët e mi e mësova se çfarë kishte ndodhur. Më morën në telefon dhe më thanë që të vija në fshat se kishte ndodhur një fatkeqësi.

A i njihnit viktimat? 

Sigurisht që po, fshati është i vogël dhe që të gjithë njihemi me njëri-tjetrin. Liria kujdesej për tokat se i shoqi kishte shkuar në emigrim. Shkonte nga 3 muaj, herë në Maqedoni e herë në Greqi, sa të nxirrte bukën e fëmijëve.

Sa fëmijë kishin?

Katër fëmijë, por kjo që u ndodhi është e tmerrshme. Ne të gjithë kemi hapur gropa nëpër tokat tona se mbledhim ujë për vaditje, çfarë të bëjmë, është e vështirë. Me pompa vaditim tokat që nxjerrim ndonjë prodhim, se me ato i mbajmë shtëpitë. Po deri më sot nuk kemi pasur probleme. Janë nga 2-3 metra të thella dhe mbushen me ujë e kur na duhet, i përdorim. Këtë zgjidhje kemi gjetur, se ne s’kemi ujë për të pirë, jo më për të vaditur. Në shtëpi me puse, këtu me gropa, ja në këtë gjendje jemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat