U përfol si përfaqësues i VV-s në Shqipëri, Ditmir Bushati: Ishte një leksion më vete për ne, Kosova na dha mësime, zgjedhjet jo garë të fortësh

Shqipëria

U përfol si përfaqësues i VV-s në Shqipëri, Ditmir Bushati: Ishte një leksion më vete për ne, Kosova na dha mësime, zgjedhjet jo garë të fortësh

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 15:38
Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati përgëzoi Vetëvendosjen dhe LDK-në për renditjen si forca të para politike në proçesin e djeshëm zgjedhor në Kosovë.

Ai e çmoi standartet e vendosura nga forcat politike të Kosovës në respektimin e mbarëvajtjes së proçesit zgjedhor dhe rezultatit përfundimtar të votave.

Bushati përmendi se ‘’zgjedhjet janë garë midis vlerave, dhe jo midis të fortëve’’. Ai u kërkoi përgjegjshmëri dy kandidatëve për kryeministër Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës.

Kujtojmë që Bushati është kthyer në njërin prej zërave kritikë brenda PS-së. Kohë më parë, ai u përfol dhe si drejtues i degës së Vetëvendosjes në Shqipëri, por ky aludim u hodh poshtë nga vetë Bushati dhe anëtari i kryesisë së VV-së Elvis Hoxha

Deklarata e Ditmir Bushatit për zgjedhjet në Kosovë:

Erdhi dita, beso!

Kosova përqafoi ndryshimin. Sovrani i dha një mandat të qartë Albin Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJA (duke e rënditur atë të parin), dhe Vjosa Osmanit të LDK.

Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës në opozitë duke demonstruar konsistencë e pathyeshmëri e duke mos u bërë palë me veset e jetës politike që dobësojnë idealin e jetës demokratike.

Është kjo arsyeja që sot ato shihen si projekt shprese për të gjithë shqiptarët në rajon, duke na dëshmuar se mund të triumfohet mbi rrënojat e së vjetrës.

Tanimë Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik dhe partneritetit me botën demokratike.

Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Evropiane, që e sheh të ardhmen e saj brenda vendit.

Përtej fitorës së Albinit dhe Vjosës, në Kosovë, mbi të gjitha, fitoi standardi dhe kultura demokratike. Procesi zgjedhor, bazuar në një sistem që kombinon disiplinën partiake me mundësinë që ka çdo qytetar për të rënditur kandidatët për deputetë sipas preferencës së tij, sikundër mënyra, korrektesa dhe shpejtësia me të cilën u numërua vota e qytetarëve, ishte një leksion më vete për ne.

Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rëndisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarjes.

Urime Albin! Urime Vjosa! Urime Kosova!
Erdhi dita, beso!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat