Negociatat, Lulzim Basha: Jemi vendi i vetëm në botë pa gjykata dhe pa Parlament

Shqipëria

Negociatat, Lulzim Basha: Jemi vendi i vetëm në botë pa gjykata dhe pa Parlament

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 11:31
Lulzim Basha

Lideri i opozitës shqiptare Lulzim Basha thotë se vendi gjendet në një situatë jashtë normale dhe kjo ndikon në vendimin e BE për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim.

Në një intervistë për Irish Times ku sot u publikua njëkohësisht edhe intervista e z.Rama, kreu demokrat Lulzim Basha thotë se problemet nisin që nga mungesa e gjykatave si diçka e paprecedentë dhe deri në parlamentin e cunguar.

Basha vlerëson se që një Parlament të konsiderohet i tillë dhe funksional duhet të jetë i plotë me 140 deputetë siç e parashikon Kushtetuta dhe jo në kushtet aktuale me disa pseudodeputetë të fundlistave dhe plot vende të tjera ende bosh.

"Shqipëria është ndoshta vendi i parë në historinë moderne pa një Gjykatë të Lartë, pa një Gjykatë Kushtetuese, pa prokuror të përgjithshëm, me një Parlament me vende të paplotësuara, dhe me një kryeministër që qeveris me dekrete pa asnjë limit institucional për pushtetin e tij”, është shprehur Basha për median irlandeze.

Basha ka theksuar se demokratët i kanë dhënë mbështetje reformës në drejtësi, por akuzon qeverinë se ka “minuar, shkelur dhe abuzuar” me procesin.

“Si rezultat kemi një gjyqësor të paralizuar… dhe asnjë politikan apo figurë e krimit të organizuar nuk është përballur me drejtësinë. Përkundrazi, një numër i çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit janë anashkaluar nën ndikimin e qeverisë, duke siguruar pandëshkueshmëri për të akuzuarit”, ka thënë kreu i PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat