U terrorizuan gjatë grabitjes, çifti i të moshuarve në Korçë tregojnë momentet e tmerrit

Shqipëria

U terrorizuan gjatë grabitjes, çifti i të moshuarve në Korçë tregojnë momentet e tmerrit

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 08:05
Ilustrim

Një grabitje e dhunshme u shënua mbrëmjen e kësaj të hëne në lagjen nr.3 të Korçës, ku një çift i moshuar u dhunuan dhe iu morën një shumë e madhe parash.

Bazuar në dëshminë e të moshuarve, kanë qenë dy persona të maskuar dhe me armë ata që i kanë grabitur dhe goditur.

Në banesën e të moshuarit Foni Rapo rreth 85 vjeç, dyshohet se janë marrë rreth 1 milion lekë të vjetra, teksa çifti jeton vetëm pasi të afërmit i kanë në emigracion.

Lidhur me ngjarjen i moshuari ka thënë se: "Ishim duke ngrënë darkën. Dy persona me maskë, armë dhe thikë u futen nga dera e pasme. Na kërcënuan dhe goditën. Mua më goditën me qytën e pistoletës në kokë, ndërsa gruan Afërdita në krahë dhe këmbë. Na nxorën edhe thikën. Bërtisnin 'lekët, lekët'. Thoshin se jemi nga Elbasani. Pasi morën lekët e pensionit iu treguam edhe kursimet. Ata kërkonin lekë të tjera. Iu dhamë unazat e floririt. Na lidhën dhe më pas kërkonin lekë të tjera. Jemi të tmerruar. Gruaja është e sëmurë me diabet dhe tension. Është e tmerruar. Ndodhet akoma në spital. Kërkojmë të kapen autorët".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat