Macron: Vështirë t’i shpegoj popullit tim një vendim pozitiv për Shqipërinë

Shqipëria

Macron: Vështirë t’i shpegoj popullit tim një vendim pozitiv për Shqipërinë

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 10:45
Macron dhe Merkel

Presidenti Macron i vlerësoi përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por këtë herë do të zgjasë pak më gjatë deri sa të fillojnë negociatat, tha ai. Macron, i cili deri më tani, kundërshtimin e tij e kishte argumentuar me thellimin e BE para zgjerimit, pranoi në konferencën e shtypit me Merkel edhe arsye të brendshme që e bëjnë Francën të hezitojë. Shqiptarët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Francë, në këto kushte është e vështirë t’i shpjegosh  popullit, se duhen filluar negociatat me këtë vend, tha Macron.

Më parë edhe kreu i Dhomës Lindore të Tregtisë dhe Ekonomisë Gjermane, Michael Harms ishte shprehur për fillimin e shpejtë të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai paralajmëroi për ndryshimin e atmosferës në këto vende që janë shumë proeuropiane.

Më parë kishte pasur zëra që shprehnin zhgënjimin e Gjermanisë për rezistencën e Francës kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Shtetit për Europën, Michael Roth, (SPD) u shpreh, se nëse BE nuk ia del dot të rrisë prezencën në Ballkan, rrezikon një vakuum pushteti që mund të mbushet nga fuqi të tjera. Gjermania është “shumë e zhgënjyer” që nuk mund të mbahet ajo që është premtuar disa herë, tha Roth. Sepse me çeljen e negociatave bëhet fjalë për “një sinjal të qartë për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe pajtimin për të gjithë Europën.”

Në samit do të ketë përpjekje për të bindur Macronin. Argumenti i fuqishëm i përkrahësve të çeljes së negociatave është vënia në diskutim e besueshmërisë së BE, kur nuk mban premtimet. Nga qarqet qeveritare gjermane është bërë e ditur, se puna vazhdon intensivisht. “Kjo nuk është një temë që do të trajtohet si ndër të tjera”, tha një përfaqësues gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat