Negociatat, Cakaj: Këshilli nuk kishte në axhendë ndarjen e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut

Shqipëria

Negociatat, Cakaj: Këshilli nuk kishte në axhendë ndarjen e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 07:02
Gent Cakaj

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj tha se Shqipëria nuk ka qenë pengesë për Maqedoninë e Veriut në procesin e hapjes së negociatave.

Në një intervistë për RTV Ora, Cakaj tha se nëse Këshilli Evropian do të kishte në axhendë ndarjen, do të bënte, ashtu siç bëri me Shqipërinë kur u anëtarësua në NATO.

Ministri tha se Shqipëria ka lobuar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndaheshin në këtë proces, por duke u bazuar në argumente dhe fakte reale

Pyetja: Ishte pengesë Shqipëria për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut?

Gent Cakaj: Pse do të ishte pengesë Shqipëria për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut?! Nuk e kuptoj sesi qenka e mundur ta paguajë faturën Maqedonia e Veriut për shkak të Shqipërisë. Unë e kuptoj që në diskutime ditore mund të flitet diçka, por unë po ashtu jam i vetëdijshëm se Shqipëria është anëtarësuar në NATO në kohën kur kishte ambicie të anëtarësohej edhe Maqedonia në atë kohë, tani Maqedonia e Veriut dhe për shkak të kontestit të një vend anëtar i NATO-s nuk ka mundur ta bëjë atë. Pra kur ndarjet kanë qenë në axhendë, ndarjet edhe janë realizuar në rrethana të tjera. Është krejtësisht e padrejtë dhe e pafalshme që ne për interesa të ngushta politike ditore shpesh herë prodhojmë interpretime që jo vetëm që nuk kanë lidhje me realitetin, por nuk i shërbejnë as imazhit ndërkombëtar dhe rajonal të Shqipërisë.

Pyetja: A ka lobuar Shqipëria për mos ndarjen e Maqedonisë nga Vendi ynë?

Gent Cakaj: Ne kemi pasur një fushatë tepër intensive për mos ndarjen e dy vendeve, por jo duke paralajmëruar probleme, por duke shpalosur argumente dhe fakte reale. Argumenti qendror ka qenë se nuk ekziston baza për ndarje sepse rekomandimet kanë qenë pozitive për të dy. Vlerësimi i KE ka qenë pozitiv si për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë, prandaj nuk ka ekzistuar baza për ndarje. Kështu që argumenti ynë ka qenë i bazuar në fakte dhe në një komunikim të ndërtuar mbi vetë faktet që ka shpalosur KE. Prandaj ne kemi qenë kundër ndarjes, sepse e vërteta e të dyja vendet ka qenë në shërbim të avancimit të mëtejshëm të axhendës evropiane.

Pyetja: A është vizioni i Macron rrezik për integrimin e Shqipërisë?

Gent Cakaj: Procesi i zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor, sot gjerësisht edhe tek vendet e tjera anëtarë konsiderohet i paalternativë. Mbase mund të ketë vështirësi gjatë rrugës dhe mund të ketë cedime në kohë. Por kjo nuk do të thotë se ky proces do të zëvendësohet. Ky proces do të vazhdojë me një dinamikë tjetër, pas ndryshimit të metodologjisë për negocim dhe paralelisht me diskutimet për reformimin e brendshëm të BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat