Vrau me armën e shërbimit Dritan Haxhollin, detaje të reja për të kaluarën e dyshimtë të Bledar Toçit

Shqipëria

Vrau me armën e shërbimit Dritan Haxhollin, detaje të reja për të kaluarën e dyshimtë të Bledar Toçit

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 18:14
Foto ilustrim

Bledar Toçi ish-shefi i sigurisë në paraburgimin e Durrësit, ka qenë një person me probleme të shumta disiplinore, edhe në kohën kur ka shërbyer për gati 7 vite në Gardën e Republikës.

31-vjeçari Toçi, kishte afërsisht një vit që ishte emëruar në kryer të sigurisë së burgjeve, dhe për këtë transferim dyshohet se ka pasur ndërhyrje edhe nga Partia Socialiste e qytetit të Durrësit.

I riu ishte skeduar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, si person i papërshtatshëm dhe i dyshuar se ka lidhje me eksponentë të dyshimtë të botës së krimit.

Por problemet kanë vazhduar edhe më pas, për Bledar Toçin. Polici i burgjeve, qëlloi me armën e shërbimit dhe la të vdekur në vend Dritan Haxhollin, në banesën e Mardisa Qatjas, në qytetin e Kavajës rreth 2 javë më parë.

ABC News ka mundur të sigurojë nga grupi hetimor se, Toçi ka shërbyer 4 vite me trupshërbimin e Presidencës, gjatë viteve 2013-2017. Edhe pse nuk janë bërë publike, i riu ka pasur disa vërejtje për “largim nga puna” apo “pezullim të ushtrimit të detyrës në Gardën e Republikës“.

Për këto arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka kërkuar që Bledar Toçi të largohej nga trupshërbimi i Presidencës, dhe të emërohet në një pozicion tjetër duke u ulur në detyrë. Ai u transferua te Njësia e Tretë e Gardës së Republikës, apo siç njihet ndryshe edhe si Sigurimi i Rrugë-kalimeve për personalitetet e larta.

Në atë detyrë, Toçi ka pasur përsëri probleme me disiplinën, pasi shumë herë, nuk ishte gjetur në vendin e përcaktuar të punës, duke marrë “vërejte për largim nga detyra“.

31-vjeçari tashmë ka lënë ambientet e spitalit të Durrësit, dhe është dërguar në spitalin e burgut, aty ku do të qëndrojë deri në përmirësimin e plotë të shëndetit të tij. Toçi i cili mbeti edhe vetë i plagosur gjatë përplasjes me armë, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga gjykata e Kavajës 7 ditë më parë.

Për Toçin, prokuroria ka ngritur dy akuza, atë të “vrasjes me dashje” si dhe “prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike”. I gjithë krimi u zhvillua në shtëpinë e Marsida Qatjas në Kavajë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat