Vrasja e ish-policit, Santiago Malko/ Arrest me burg për 8 personat e shpallur në kërkim

Shqipëria

Vrasja e ish-policit, Santiago Malko/ Arrest me burg për 8 personat e shpallur në kërkim

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 09:55
Santiago Malko

Një breshëri plumbash u derdhën mbi Santiago Malkon mbrëmjen e një të marte duke e lënë atë të vrarë në vend. Krimi i mirëplanifikuar nga vrasësit ka forcuar dyshimet e policisë se 26-vjeçari është ekzekutuar për hakmarrje.

Përsa i përket autorëve të krimit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vlerësuar në mungesë, masën e arrestit me burg për 8 personat e shpallur në kërkim për vrasjen e të ndjerit.

Është pranuar kërkesa e prokurorit të Krimeve të Rënda Behar Dibra, për caktimin e masës arrest me burg për dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, për Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, dhe Dritan Agaj, të gjithë banues në Tiranë, si she për Fatmir Hyseni, nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”.

Ndërkohë pritet që brenda pak ditësh të vlerësohet masa edhe për Blendi Tetën, i arrestuar po për të njëjtën çështje.

Ju kujtojmë se  dosja u hetua si fillim nga prokuroria e Tiranës, për të kaluar më pas te Krimet e Rënda. Të shpallurit në kërkim akuzohen për veprat penale vrasje me dashje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Besohet se i riu, ish-punonjësi i policisë së kryeqytetit, është përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit, një ngjarje që është zbatuar me të njëjtin mekanizëm siç edhe u vra Malko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat