Ermonela Jaho në Tiranë: Nëse nuk duam njëri-tjetrin, do zhytemi si komb. Para dy muajsh humba dy mikesha, kishin moshën time

Shqipëria

Ermonela Jaho në Tiranë: Nëse nuk duam njëri-tjetrin, do zhytemi si komb. Para dy muajsh humba dy mikesha, kishin moshën time

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 10:27
Ermonela Jaho

Me hapa të shpejtë, veshur një fustan blu e pa sjellje pompoze drejtohet drejt sallës së Katedrales Ortodokse.

Vetëm dy net më parë, Ermonela Jaho është duartrokitur nga publiku i Gran Teatre del Liceu në Barcelonë në rolin e skllaves Liu të Puçinit, por një mision human ka bërë që ajo të shkëputet për të qenë pranë grave shqiptare. E shoqëruar nga mbesa e saj, pianistja e re Paola Jaho, e thjeshtë si në vitet e para të karrierës, këtë mëngjes (dje) është zgjuar me një qëllim të veçantë: Të mbajë një koncert në emër të kauzës “Fjongoja rozë”.

“Mund të flasim me fjalë të mëdha e të bukura, po ajo që unë e mikeshat e mia kërkojmë është të bëjmë diçka konkrete duke dhënë kohën, zemrën për ndërgjegjësimin e grave kundër kancerit të gjirit”, thotë Jaho. Prej dy vitesh ambasadore nderi e YWCA (shoqatë joqeveritare që vijon fushatën ndërgjegjësuese prej 11 vitesh), kësaj here në koncertin e bamirësisë i bashkohen pa asnjë kosto mikeshat e saj artiste, Elda Laro, Vikena Kamenica, Enada Hoxha dhe mbesa Paola.

“Në kauza të këtij lloji, me një ndjeshmëri kaq të madhe e mbi të gjitha që na përket ne femrave, nuk mund të mendohet hezitimi”, tha Vikena ndërsa theksoi se arti është gjuha, që shkon më shpejt te publiku. Po ashtu, balet-maestroja Enada Hoxha u shpreh se, edhe pse artistët nuk kanë mundësi të mëdha financiare, ajo zgjodhi që kontributin e saj ta jepte duke bërë atë që më mirë di. Ndërsa pianistja e re Paola Jaho dha një mesazh ndërgjegjësimi për kauzën e përtej saj: Solidariteti është hapi i parë i njerëzimit… Ndërkohë, drejtoresha e YWCA, Dona Godaj, bëri me dije se fitimi nga koncerti i bamirësisë do të shërbejë për të ngritur një fond fillestar, që do të shpërbejë për hapjen e një qendre, e cila do të ofrojë shërbime falas për gratë dhe familjarët e tyre. Në këtë qendër do të përfshihen krahas shërbimeve psikosociale, edhe ato ligjore.

Ermonela, ktheheni në shtëpi pas sukseseve të mëdha, si ndiheni?

Kur kthehem në shtëpi, jam gjithmonë e emocionuar. Pavarësisht nga skenat ku performoj, emocionet më të mëdha i përjetoj para publikut shqiptar, i përjetoj edhe tani që po flas (duart i dridhen)… Ndoshta ndodh kështu sepse kur je larg të mungon vendi yt, publiku… janë rrënjët e tua, por emocionet shtohen edhe më shumë kur flasim për një kauzë kaq delikate. Në këtë rikthim timin, unë nuk vij thjesht si Ermonela artiste, jam këtu edhe si motër, si shoqe, si hallë, si grua… Vij për të dhënë kontributin tim, me atë çka kam ndërtuar jashtë kufijve të Shqipërisë. Të jap kontributin tim për një kauzë të tillë, më bën mua të ndihem një qenie humane më e mirë, një artiste më e mirë. Nga ana tjetër, është një mënyrë për t’i dhënë brezit të ri edhe një mesazh të bukur, se asgjë nuk është e pamundur dhe ngjarjet pozitive ndodhin edhe në Shqipërinë tonë me probleme dhe halle. Pra, kthimi në shtëpi është një dritë pozitiviteti që më mbush sa me energji, aq edhe me emocione.

Mendoni se prania juaj mund të bëhet edhe një shembull a shtysë më shumë që kësaj kauze t’i bashkohen edhe të tjera gra, që kanë diçka në dorë?

Secili prej nesh e ka brenda vetes dëshirën për të ndihmuar, varet se sa je në gjendje të luftosh për një kauzë të caktuar. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se bamirësia bën mirë. Kur punon në mënyrë pozitive, ndërton një projeksion të tillë, saqë edhe në tunelin më të errët mendon e përpiqesh të gjesh dritën, edhe kur askush nuk e sheh… Është e rëndësishme që, edhe pse të tjerët nuk e shohin dritën në tunel, ti që ke arritur ta pikasësh, ta ngresh zërin, ta evidentosh. Është e rëndësishme të mos jesh indiferente, por të jesh një zë e nëse do të përpiqesh vazhdimisht, herët a vonë atë dritë askush s’do ta injorojë. Këtë ua them edhe artistëve, pasi vlen kudo edhe në art. Kur e fillon rrugëtimin e je në hapat e parë, s’do t’u pëlqesh të gjithëve, pasi kjo është subjektive, por megjithatë përpiqu, përmirësohu dhe nxirr anën tënde më të mirë. Do të duhet të kapërcesh sfida, të përballesh me refuzime, do të shkelesh, por megjithatë t’i mos resht, nxirr anën më të mirë, se do të vijë ai moment qkjo forcë pozitiviteti nuk do të injorohet më. Kjo ka funksionuar me mua në art dhe është ky mesazhi që i jap brezit të ri, time mbese që kam në krah: Të gjithë e dimë se cila është më e mira për t’u bërë dhe kush ka në dorë që të bëjë diçka, le ta bëjë në mënyrë konkrete. Pra, kur shikoni një padrejtësi, ngrijeni zërin! Nëse ne nuk vlerësojmë, nëse nuk duam njëri-tjetrin, do zhytemi si komb. Edhe pse e dimë se vlerësimi e dashuria ndaj tjetrit bën të prodhohen ngjarje pozitive, çuditërisht negativiteti mbush gazetat, mbush lajmet… Qoftë edhe një frazë e vogël negative, është ajo që vendoset në titull. Ndaj, kush ka në dorë, le të shkruajë diçka pozitive. Është e vërtetë se pozitiviteti është një rrugë që do kohë, por kur shkruan një të vërtetë, ajo do të godasë e do shkojë atje ku duhet…

Krahas vetëndërgjegjësimit për kauzën “Fjongoja rozë”, në fjalët tuaja ndihet dëshira për forcimin e pozicionit të gruas shqiptare. Ju jeni rasti që ia keni dalë. Ermonela Jaho Shqipëria nuk ka shumë, mirëpo kjo, krahas krenarisë që u fal shumë shqiptarëve, ndoshta te një pakicë mund edhe të përdoret… Si ndiheni kur e dëgjoni emrin tuaj të përmendet atje dhe nga kush nuk do të donit?

Jam në një pikë të jetës sime që, edhe kur vërej diçka negative, e largoj, nuk i jap rëndësi. Jemi të ndërgjegjshëm se te qeniet humane ekzistojnë të gjitha ndjenjat, edhe ato negativet, që ndoshta kur bëhesh personazh i has edhe më shumë, por unë nuk u jap rëndësi. Janë këto fenomene që do të vazhdojnë të ekzistojnë, bashkë me ne, pasi në rrugëtimin tonë nuk do përballemi vetëm me ngjyrën e bardhë, janë edhe grija, e zeza e të tjerat. Mirëpo, varet se sa të fortë jemi ne, që me dritën tonë pozitive t’i kapërcejmë të gjitha këto. Ermonela nuk është nga të paktat, në këtë kauzë jemi 4, mandej jeni ju, së bashku po flasim për këto gjëra pozitive e në momentin që flasim me gjuhën e shpirtit, çdo gjë bëhet më e lehtë. Kjo formulë funksionoi në këtë koncert, biletat u shitën.

Kauza “Fjongoja rozë” e kancerit të gjirit, krahas faktorëve ekonomikë e socialë, prek dhe shkaktohet edhe nga faktorë të brendshëm, emocionalë apo psikologjikë. Ju vetë bëni një jetë shumë intensive, duke u përballur ndër të tjera me përgjegjësinë që skenat prestigjioze ju imponojnë, si e menaxhoni gjithë këtë ngarkesë?

Çdo mëngjes, unë ngrihem me një qëllim të caktuar, siç jam ngritur sot për këtë koncert, në emër të kauzës rozë. Fakti që po kontribuoj në këtë kauzë, më bën të kapërcej çdo lloj stresi e lodhjeje… Pastaj, asgjë e bukur nuk vjen pa një lloj sakrifice. Nëse dikush mendon se kur të prekë me dorë ëndrrën më të bukur, kjo t’i japë veçse gëzim, unë mund të them se nuk është tamam kështu. Çdo ëndërr apo synim dhuron kënaqësi, gëzim, kur kalon atë rrugëtimin e vështirë e ky rrugëtim për mua ka filluar që herët. Mirëpo, njeriu duhet të jetojë me një qëllim, një ideal dhe sekreti im është se e mendoj çdo gjë në mënyrë pozitive.

Ju personalisht, çfarë ju kujton kauza rozë?

Më kujton të mos jem indiferente si mike, shoqe e grave që kanë vuajtur dhe kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Të mos jem indiferente jo vetëm gjatë tetorit, si muaj simbol, por në përballjen e përditshme me këtë sëmundje e të tjera të këtij lloji. Vetëm para dy muajsh, unë kam humbur dy mikesha të miat, që kishin pak a shumë moshën time. Kështu që më kujton, më kujton çdo ditë. E nëse të gjithë ne do kujtohemi çdo ditë për kauza të tilla, mendoj se do jemi qenie humane më të mira e do t’ia dalim mbanë të bëjmë diçka për ta përmirësuar situatën. Qoftë edhe një hap të vetëm, një hap më shumë, pasi siç thoshte Shën Tereza: “Ndoshta e vetme nuk mund të bëj shumë mrekullira, nuk mund të shpëtoj shumë njerëz, por kur i bën edhe gjërat e vogla me dashuri të madhe… ai është ndryshimi”. Mund të ndihmosh që gratë të shërohen edhe përmes dashurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat