Murrizi i ashpër për zgjedhjen e deputetëve: Sistemi aktual ofron në politikë “vemjet dhe parazitët”

Shqipëria

Murrizi i ashpër për zgjedhjen e deputetëve: Sistemi aktual ofron në politikë “vemjet dhe parazitët”

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 12:45
Myslim Murrizi

Deputeti Myslim Murrizi është ndalur sot tek mënyra se si zgjidhen deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nuk ka kursyer as akuzat ndaj kryetarëve të partive. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Murrizi thotë se përmes sistemit aktual, kryetarët e partive ofrojnë në politikë “vemjet dhe parazitët” të cilët sipas tij, zgjedhin të fshihen nga vota e qytetarëve dhe mbrojnë interesat e kryetarëve të partisë.

“Listat e hapura qërojnë nga politika dhe parlamenti vemjet, parazitët, skuthët dhe çdo lloj kategorie të pistë që fshihet nga votat e qytetarëve duke hyrë në mendere të kryetarëve. Më vjen shumë mirë që shtohen zëra për zgjedhjen e deputetëve nga qytetarët dhe jo emërimin e tyre nga kryetarët. Populli thotë: më mirë vonë sesa kurrë. Të gjithë individët me këllqe politike, njerëz që takojnë qytetarë, politikanë që duan demokracinë e votës, duan pranojnë dhe kërkojnë që në politikë dhe parlament, të vijnë nga vota e qytetarëve”, shkruan ai.

Më tej Murrizi thekson se, “Të gjithë servilët, hipokritët, spurdhjakët politik, parazitë e vemje pa fytyrë, pa pigment pa moral përfaqësues, të pështirë në ekstrem në lëpirje ndaj çdo kryetari, duan që të jenë përfaqësues, pa përfaqësuar askënd. Duan të jenë në parlament pa vota por me jargavitje ndaj kryetarit pa kontribut e merite, por me intriga e skuthëlliqe.

Pa takuar asnjë qytetarë, por duke i lëpirë menderen çdo kryetari. Pa bërë fushatë, por duke u vërdallosur si zorraxhi për dreka e darka qyl gjatë 45 ditëve si lider. Pa patur asnjë votë, por duke patur të gjithë cilesitë e pista të rracës njerëzore. Pa paguar asnjë kafe të atyre që punojnë për të në fushatë, por duke paguar qindra mijëra euro tek kryetari”

Sipas tij, “Për këtë kategori të ndyrë politikanësh, që po i shoh të qajnë e qurraviten nëpër ekrane e port-hale se nuk ka problem sistemi por rustemi, se listat e hapura nuk sjellin në parlament “ profesor” “ shkencëtar” apo “ intelektual”, me lista të hapura nuk do tua shoh më kurrë njeri surratin apatik, sepse nuk ju voton askush.

Bile jo pak nga ky soj kur kanë kandiduar me pdr, psd, frd, pd, paa me emër, nuk kanë marë as votat e familjes. Listat e hapura rrisin demokracinë në parti, në parlament dhe në qeveri. Listat e hapura zhdukin përfundimisht minjt politik nga skena politike bajate e Shqipërisë”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat