Atentat prokurorit Arjan Ndoj, qëllohet me armë zjarri në drejtim të makinës së tij

Shqipëria

Atentat prokurorit Arjan Ndoj, qëllohet me armë zjarri në drejtim të makinës së tij

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 20:24
Ilustrim

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj, ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati që i është bërë teksa ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Durrës-Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, kur persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri mbi automjetin tip "Mercedes Benz GLK" me targa AA 333 ZD me të cilin udhëtonte prokurori Ndoj.

"Ne aksin rrugor Durrës - Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur "Mbikalimi i Shkozetit" kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, e për pasojë janë plagosur shtetasit A.L., 48 vjeç, A.N., 44 vjeç dhe A.M., 30 vjeç" njofton policia.

Bashkë me prokurorin Ndoj, të plagosur mbetën edhe shtetasit Aleksandër Laho, 48 vjeç, dhe Andi Maloku, 30 vjeç.

Ky i fundit, shofer i prokurorit.

Në rrjetet sociale u publikua dhe video e momenteve të para, kur të plagosurit janë nxjerrë nga makina, e cila ka devijuar rrugën dhe ka përfunduar në kanal.

Shtetasi Andi Maloku ka ardhur me urgjencë në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar, pasi ka marrë një plumb në gjoks.

Menjëherë pranë spitalit të Traumës kanë mbërritur familjarët e këtij të fundit të cilët patën debate me forcat e shumta të policisë që ndodheshin aty.

Ndërsa vetë prokurori dhe i plagosuri tjetër Aleksandër Laho, i dyshuar për lidhje kriminale ndodhen në spitalin e Durrësit.

Aleksandër Laho, i njohur edhe me emrin Landi Muharremi është akuzuar si një nga personat që dhunuan biznesmenin Fadil Mitri për pronat në gjirin e Lalëzit.

Sipas policisë të gjithë të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Atentati ndaj prokurorit Ndoj është sulmi më i rëndë i viteve të fundit ndaj njerëzve të drejtësisë.

Ndaj ngjarja i ka kaluar menjëherë për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku hetimet në terren po i drejton vetë Donika Prela dhe prokurori Anton Martini.

Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, duke krehur zonën, ndërsa janë ngritur postoblloqe dhe janë ushtruar kontrolle edhhe në të gjitha akset rrugore në hyrje dhe dalje të qytetit bregdetar.

Prokurori Arjan Ndoj u vu në qendër të opinionit publik kohët e fundit nga kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministri Braçe, të cilët e akuzonin për lidhje me bandat kriminale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat