Reflekton Holanda/ Ministri i Jashtëm Blok: Mbështesim Shqipërinë, negociatat para Samitit të Zagrebit

Shqipëria

Reflekton Holanda/ Ministri i Jashtëm Blok: Mbështesim Shqipërinë, negociatat para Samitit të Zagrebit

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 17:50
Stef Blok

Vendimi i samitit të BE-së, për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë, përveç Francës e mbështetën edhe Holanda e Danimarka, sikurse ishte e dyzuar Spanja, ndërsa mjaftoi vetoja franceze që të bllokohej edhe Maqedonia e Veriut.

Vendimi nuk po kalohet lehtazi nga kancelaritë perëndimore, mes tyre dhe Holandës, e cila në fakt mbështeti qëndrimin e Francës për të mos hapur negociatat me Tiranën dhe Shkupin, por është vënë nën presion, përveç Austrisë dhe Italisë, edhe nga superfuqitë si Gjermania dhe SHBA.

Duket se Holanda, pa kaluar ende një muaj, ka reflektuar. Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, është shprehur se vendi i tij është dakord që Këshilli Evropian t’i rikthehet çështjes së negociatave për dy vendet e Ballkanit, përpara samitit te Zagrebit. Lidhur me  ngadalësimin e procesit të zgjerimit po krijohen hapësira ​​për depërtimin e e aktorëve te tjerë si Rusia, Kina dhe Turqia, në Ballkanin Perëndimor. Por shefi i diplomacisë holandeze Blok, shprehet se “nuk ekziston një rrezik i tillë”.

“Vendi im përshëndeti përparimin e bërë në të dy vendet si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.  Sidoqoftë, përpara fillimit të negociatave të pranimit, Shqipëria duhet të tregojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Këshilli Evropian do të kthehet në temën e negociatave të pranimit përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor në maj të vitit 2020. Ne do të mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në punën e tyre për të ardhmen në BE.  Periudha e ardhshme mund të përdoret për të reformuar më tej sundimin e ligjit."

"Të dy qeveritë njoftuan se do të vazhdojnë me këto reforma. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë ata. Nuk besoj se kjo do ta drejtojë rajonin drejt faktorëve të tjerë të jashtëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të përkushtuara ndaj perspektivës evropiane. Për më tepër, BE-ja mbetet deri tani partneri më i madh tregtar, investitori i huaj dhe partneri i bashkëpunimit në rajon. Sigurisht, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lirë të marrin vendime sovrane në lidhje me marrëdhëniet e tyre me vendet e treta ose organizatat ndërkombëtare”, theksoi Blok, duke treguar për herë të parë një qëndrim ndryshe nga ai i Francës, karshi vendi tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat