Kush ishte nëna e Alvin Berishës që në 2014 mori rrugën drejt Sirisë

Shqipëria

Kush ishte nëna e Alvin Berishës që në 2014 mori rrugën drejt Sirisë

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 08:48
Valbona Berisha nëna e Alvinit

Kush ishte nëna e 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha që sot ndodhet në kampin e Al-Hol në Siri, i burgosur, i vetëm me nevojën e kurave mjekësore pas plagëve të marra nga shpërthimi i një bombe, që i kanë shkaktuar probleme serioze në ecje?

Ajo quhej Valbona Berisha e lindur në Durrës më 1982. Më 5 dhjetor të 2016, autoritetet italiane të Gjykatës së Milanos, nën drejtimin e gjykatëses Manuela Scudeieri kanë firmosur urdhrin e arrestimit të saj me akuzën e pjesëmarrjes në organizmin e terrorizmit ndërkombëtar, pas hetimeve të kryera nga prokurorët Maurizio Romanelli e Alessandro Gobbis të Drejtorisë së Antiterrorizmit. Ndaj saj rëndonte dhe akuza e sekuestrimit të një minoreni.

Prej vitit 2000, Valbona Berisha jetonte së bashku me bashkëshortin Afrim Berisha e 3 fëmijët e tyre, 2 vajza e 1 djalë (Alvini) në komunën Barzaglio në provincën e Lecco-s. Afrim Bersiha punonte si murator, ndërsa ajo ishte shtëpiake.

Antiterrorizmi italian ka dokumentuar indoktrinimin e saj drejt një islami radikal përmes internetit me kontaktet e vendosura me disa imamë në Prishtinë e Shkup si dhe me luftëtarë të ISIS.

Materialet video e fotografike të autoriteteve italiane vërtetojnë largimin e saj nga territori italian më 17 dhjetor 2014 së bashku me djalin Alvin, i cili ishte në atë kohë vetëm 6 vjeç.

Ajo ka udhëtuar dretj Turqisë me një fluturim nga aeroporti Orio al Serio i Bergamos. Nga Turqia më pas ka mbërritur në Siri.

Falë sinjalit GPS të telefonit është identifikuar vendodhja e parë në Al Babi, një nga zonat më të nxehta në atë kohë të luftës në Siri.

Në Siri, Valbona Berisha ka ndryshuar emër dhe është quajtur Yushra, është martuar me një xhihadist shqiptar me të cilin pati dhe një djalë tjetër.

Lajmet e fundit mbi Valbona Berishën i jep biznesmeni kosovar Bedir Elezi, ish-luftëtar i luftës në Kosovë e sot i impenjuar për të kthyer në shtëpi të gjithë fëmijët e gratë e ish-xhihadistëve nga Ballkani.

Sipas rrëfimeve të tij, të vërtetuara dhe nga gazetari italian Luigi Pelazza, Vlabona Berisha humbi jetën së bashku me bashkëshortin xhihadist e djalin e tyre gjatë një shpërthimi, ndërsa po udhëtonin me makinë. Në këtë shpërthim mbeti i plagosur rëndë dhe Alvini, sot 11-vjeçar.

Emisioni investigativ italian "Le Ien"e realizoi e dokumentoi me video takimin në Siri të Alvinit me babin e tij Afrim Berisha, por dhe pamundësinë e largimit të tij nga kampi i të burgosurve në Al-Hol, pasi Alvini si dhe babai i tij Afrimi, siç e vërtetojnë dhe dokumentet e mësipërme janë shtetas shqiptarë, emigrantë në Itali e të pajisur me leje qëndrimi afatgjatë.

Alvin Berisha mund të largohet nga kampi vetëm me ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare./oranews

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat