“Disa gjëra nuk janë për shitje”, Ambasada SHBA sqaron edhe njëherë qëndrimin për ndërhyrjen e Kinës në rrjetin 5G

Shqipëria

“Disa gjëra nuk janë për shitje”, Ambasada SHBA sqaron edhe njëherë qëndrimin për ndërhyrjen e Kinës në rrjetin 5G

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 11:43
Leyla Moses-Ones

Beteja për kontrollin e rrjetit 5G, që pritet të sjellë një revolucion të ri botëror, ka zbritur edhe në Shqipëri. Disa artikuj janë publikuar në mediat shqiptare, që të nxitura kryesisht nga interesa ekonomike, kanë manipuluar edhe qëndrimin e Ambasadës së SHBA-së lidhur me rrjetin 5G në Shqipëri.

Duke lënë mënjanë betejën midis kompanive të telekomunikacionit në vend, Ambasada e SHBA-së sqaron se qasja e saj lidhet me konkurrencën që vjen nga Kina dhe kjo u theksua edhe nga e ngarkuara me punë, Leyla Moses-Ones.

“Faktet kanë rëndësi. “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese, që synon të shtrembërojë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin 5G, nuk e ndryshon të vërtetën. Faktet janë këto: Shtetet e Bashkuara e mbështesin qasjen e matur dhe të përgjegjshme të Shqipërisë për rrjetin 5G. E Ngarkuara me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones e tha këtë javën e kaluar në Konferencën “Politika e Sh.B.A. në Ballkanin Perëndimor”: “Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”, shkruhet sot në faqen e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Në këtë mënyrë, SHBA zbulon se Kina ka synuar të ndërhyjë nëpërmjet kompanive të telekomunikacionit për të shtënë në dorë rrjetin 5G në vendin tonë.

Por, siç u shpreh edhe Moses-Ones më 28 tetor, disa gjëra në Shqipëri nuk janë për shitje.

“Përsa i përket vendndodhjes gjeostrategjike, ju e dini se revolucioni 5G po vjen: ndërlidhja e rrjeteve 4G të Shqipërisë së shpejti do të përmirësohet; ndërlidhja e vendit të saj gjeostrategjik në hartë është e rëndësishme sepse ka vende si Kina që do të dëshironin të kapnin mënyrën e jetesës dixhitale të Ballkanit Perëndimor për të thithur informacione prej tyre dhe asfiksuar rrjetet e aleatëve të Sh.B.A-së. Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrotje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”, do të shprehej diplomatja amerikane një javë më parë.

Edhe Yuri Kim, ambasadorja e re amerikane në Tiranë, gjatë seancës dëgjimore në Senat, theksoi se për Shqipërinë nuk paraqitet rrezik nga Rusia, por nga Kina, e cila po përpiqet të shtrijë ndikimin në vend nëpërmjet investimeve strategjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat