“Po u bë marrëveshje PD-PS, kjo këtu zerohet”, ish-kreu i KQZ, Kume tregon lojën me reformën

Shqipëria

“Po u bë marrëveshje PD-PS, kjo këtu zerohet”, ish-kreu i KQZ, Kume tregon lojën me reformën

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 12:59
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dëgjoi dje ekspertët, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile si dhe kryetarët e partive jashtë Kuvendit në lidhje me draftin e përgatitur nga ekspertët e komisionit.

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, në cilësinë e ekspertit në këtë tryezë ka ngritur një problematikë sa i përket punës për Reformën Zgjedhore, e cila do të ndikohet edhe nga kriza politike në vend.

Sipas Kumes, puna e bërë deri më tani me hartimin e propozimeve dhe draftet që diskutohen, mund të rezultojnë një shpenzim energjie jo efektiv, nëse PS dhe Opozita e bashkuar jashtë Parlamentit vendosin të bëjnë një marrëveshje. Sipas Kumes, do duhet ridimensionuar mënyra sesi po bëhet kjo reformë, duke lënë të nënkuptuar se nuk duhen lënë jashtë partitë opozitare, që u larguan nga Kuvendi në muajin shkurt.

“Kuvendi i Shqipërisë i ka krijuar mundësinë institucionale, me vendin që i ofron në cilësinë e vëzhguesit me të drejtë vetoje, që Opozita të sjellë të gjithë ato se si ajo e mendon këtë reformë. Por me çfarë duket, një qasje e tillë, sado e vlerësuar që mund të jetë, është e papranuar prej tyre. Në këto kushte nuk duhet të themi SE ne kemi mbaruar punë me ta. Po të duan, le të vijnë. Kjo është zgjidhje zero. Është e domosdoshme që të gjendet një zgjidhje që të përafrojë palët. Dhe që të përafrohen palët, nevojitet një palë e tretë, që në këtë rast jemi ne, qytetarët, që mund t’ju bëjmë bashkë. Sepse nesër, për një arsye ose një tjetër, mundet që palët të afrohen dhe të bëhet marrëveshja dhe ne nuk kemi pse të befasohemi, nuk kemi pse të mos e konsiderojmë mundësinë e një marrëveshjeje nesër. Në rast të një marrëveshjeje, gjithçka që ju do të bëni, që ju do të shkruani këtu, mund të zerohet, sepse, me sa kam unë informacion, opozita po punon mbi koncepte dhe parime totalisht ndryshe. Kështu që të mos shpenzojmë energji kot… Në këtë draft janë përpjekur të gjenden zgjidhje, por në qoftë se nesër do të biem dakord dhe do të kalojmë në një sistem tjetër, do të duhet të rikonsiderojmë rrugën sesi duhet ta zgjidhim këtë gjë”, u shpreh Kristaq Kume.

SISTEMI

Diskutimi nga ekspertët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile u përqendrua në çështjen e ndryshimit të sistemit. Nga pjesa më e madhe e folësve të të gjitha fushave, sistemi më i përfolur si më i përshtatshëm për Shqipërinë, ishte ai proporcional kombëtar me lista të hapura. Për këtë sistem ishin dakord edhe pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës parlamentare. Myslim Murrizi, Ralf Gjoni, por edhe Rudina Hajdari, edhe në këtë mbledhje të Komisionit të Reformës Zgjedhore, shprehën vendosmërinë e tyre se reforma do të përfshijë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor për ta hapur sistemin.

Ndërkohë, edhe nga kjo mbledhje, dy bashkëkryetarët e këtij komisioni, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, ritheksuan pritjen e Partisë Demokratike dhe partive të tjera jashtë Kuvendit, duke thënë se mendimet dhe opinionet e tyre mund t’i çojnë pranë këtij Komisioni.

Në nisje të mbledhjes, Damian Gjiknuri deklaroi: “Opozita jashtë Parlamentit nuk ka sjellë propozime me shkrim, por ne jemi ende në pritje të propozimeve të tyre”, tha Gjiknuri. Ndërkohë, deputetja Rudina Hajdari theksoi se ky Komision do t’i dëgjojë ekspertët, ndryshe nga sa është bërë më parë. “Në eksperiencat e mëparshme nuk iu janë marrë parasysh propozimet, por këtë herë do të jetë ndryshe dhe ne do të marrim parasysh çdo propozim tuajin. Të gjithë aktorët jashtë Parlamentit të vazhdojnë punën, ne jemi ende në pritje të propozimeve të tyre”, u shpreh Hajdari.

Mbledhja e radhës e Komisionit të Reformës Zgjedhore do të jetë ditën e enjte, ku pjesë e rendit të ditës pritet të jetë çështja e financimit të partive dhe sistemi zgjedhor, që është kërkuar me ngulm nga ana e opozitës parlamentare që të ndryshohet.

MURRIZI: TË NDRYSHOHET SISTEMI, EDHE PËR MAXHORITAR JAM DAKORD

Edhe pse nuk ishte aspak në axhendë, tema kryesore e mbledhjes së radhës së Komisionit të Reformës Zgjedhore u fokusua totalisht në çështjen e sistemit zgjedhor dhe kërkesës së vazhdueshme të Opozitës në Parlament për ta ndryshuar.

Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura ishte varianti më i përfolur dhe i preferuar si nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, por edhe nga deputetët e opozitës parlamentare. Më radikali në qëndrime ishte deputeti demokrat, Myslim Murrizi. Sipas tij, sistemi aktual duhet zhbërë dhe madje ishte i gatshëm që të kalohet edhe me sistemin maxhoritar. “Deputetët nuk janë të tillë, por punëtorë të Partisë, e cila i zgjedh.

Krahu këtej nga jam unë e dhanë provën që janë rebelë në shpirt, se nuk iu bindën urdhrit të Enver Lulit dhe as Monika Hoxhës, ndërsa ju vazhdoni t’i bindeni Enver Ramës. Ne duhet të zgjidhemi direkt nga shqiptarët, jo se i do qejfi Lul Bashës apo Edi Ramës. Unë, edhe me maxhoritar kam qenë një herë deputet. Unë edhe për maxhoritar jam dakord. Unë kam qenë deputet nga sistemi maxhoritar në vitin 1997 dhe e njoh mirë rëndësinë që ka vota e qytetarëve. Vetëm të ndryshohet ky sistem, se nuk dua të jem më deputet”, tha Murrizi.

“T’u heqim pushtetin kryetarëve të partive”

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, në fjalën e tij në Komisionin e Reformës Zgjedhore, vuri theksin në ndryshimin e sistemit zgjedhor me qëllim uljen e pushtetit të kryetarëve të partive. Sipas Kokëdhimës, sot deputetët janë njerëz të emëruar nga kryetarët e partive dhe u shërbejnë vetëm atyre dhe jo qytetarëve dhe kjo që duhet të marrë fund njëherë e mirë sa më shpejt. “Ne këtu duhet të diskutojmë që të çlirohet dhe t’u hiqet dy tre kryetarëve të partive pushteti se po i marrin gjithçka shqiptarëve. Këta emërojnë gjithë Parlamentin dhe të gjithë funksionet e tjera në vend. Deputetët e Shqipërisë janë punëtorë të emëruar në funksion të 2-3 njerëzve të pushtetit dhe pasurisë së tyre. Sa kohë do të vazhdojmë ne kështu t’i gënjejmë njerëzit?”, u shpreh Koço Kokëdhima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat