Atentati në Shkozet/ Avokati i Redjan Rrajës apelon masën e sigurisë

Shqipëria

Atentati në Shkozet/ Avokati i Redjan Rrajës apelon masën e sigurisë

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 10:56
Redjan Rraja

Avokati i Redjan Rrajës ka apeluar masën e sigurisë dhe i ka kërkuar gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda ta lirojnë 34 vjeçarin.

I kontaktuar nga gazetarja Anila Hoxha, avokati Besnik Çerekja deklaroi se ” apelimin për shtetasin Redjan Rraja e nisa me postë këtë të dielë”.

Rraja u arrestua disa ditë më parë për sulmin me armë që u bë ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja në Shkozet.

Kqyrja balsitike konfirmoi për prokurorët se njëri nga kallashnikovët e gjetur në automjetin e braktisur në Shkafanë është përdorur për të qëlluar me breshëri ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe dy të tjerëve.

Por prokurorët pretendojnë se disponojnë pamje të kamerave të sigurisë që tregojnë se si po ndiqej automjeti i Arjan Ndojës nga dy mjete të tjera, ndërsa dyshojnë fort se sapo vrasësit kanë braktisur automjetin janë larguar nga një bashkëpunëtor i tyre që po i priste në fshatin Shkafanë. Si njëri ndër tre personat që besohet se gjendeshin në automjetin e vrasësve, i arrestuari i parë për atentatin, një ish-dentist në burg, doli para gjykatës.

34-vjeçari Redjan Rraja u la nën masën e sigurisë arrest me burg nga gjykata për Krimet e Rënda për një sërë veprash penale më e rënda ajo e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të ngelur në tentativë në dëm të prokurorit Arjan Ndoja si edhe shtetasve Aleksandër Laho dhe Andi Maloku. Redjan Rraja i ka mohuar akuzat, ndërkohë që policia po kërkon edhe dy persona të tjerë.

Por prova që e vendos Rrajën në pozita dyshuese është një gjurmë papilare në një palë syze, të cilat Rraja kundërshton që janë të tijat dhe se ai nuk e ka idenë se si gjendeshin në këtë automjet. Për qëndrimin tjetër të hetuesve të cilët i referohen qelizave të telefonit të tij, Rraja këmbëngul se udhëtonte shpesh në trekëndëshin Durrës-Tiranë-Nikël.

Madje i dyshuari ka kërkuar t’i shpjegohet se çfarë e lidhte atë me tre të plagosurit, të cilët ai pretendon se nuk i njeh. Prokuroria nga ana e saj i adreson Rrajës veç akuzës së vrasjes së mbetur në tentativë në kuadër të grupit kriminal edhe veprën e vjedhjes së automjetit të përdorur në krim, që rezulton të jetë vjedhur në muajit shtator në qytetin e Lezhës, ndërsa targat në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat