Prokurori Oslian Çela: Të ashpër jemi me shtresat e dobëta, po përgatisim fidanishte të krimit

Shqipëria

Prokurori Oslian Çela: Të ashpër jemi me shtresat e dobëta, po përgatisim fidanishte të krimit

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 14:51
Olsian Çela

Kandidati për Prokuror të Përgjthshëm Olsian Çela përballë KLP  ka pranuar se drejtësia ka qenë e ashpër me shtresat e dobëta. Sipas tij, kjo nuk duhet të ndodhë, pasi krijon probleme të rënda sociale.

"Duke thelluar problemet sociale ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishte të krimit", ka thënë prokurori Çela.

Olsian Çela: Keni dëgjuar ndonjë rast ku përveç ashpërsimit të dënimeve të ketë ndonjë politikë tjetër penale në Republikën e Shqipërisë?! Personalisht unë dëgjoj vetëm ashpërsim dënimesh.

I kemi krahasuar ne ndonjëherë në raport me vendet e tjera të rajonit dhe BE cilat janë masat e dënimeve që ka kodi penal shqiptar në raport me kodet e vendeve të tjera?! Këto masa dënimi të ashpra na kanë dhënë ne rezultatet e pritura?

A mendohet ndonjëherë që këto masat e sigurimit që ne i japim vend e pa vend, ekstreme, çfarë pasojash shkaktojnë këto tek familjet e atyre të cilëve izolohen?

A ka qenë e domosdoshme vërtet që prokurori të shkojë të kërkojë masa ekstreme në çdo rast?

A mendojmë ne që ai njeriu që ka bërë një vepër penale me të cilën mund të hetohet dhe pa shkuar në burg, ka një punë ka një familje, ka fëmijë që ngelen pa mbështetje?! Ata fëmijë të cilët e atij njeriu që dënohet me burg kur ndoshta mund të aplikoheshin metoda alternativa të dënimit, si do jetojnë? Do jenë në rrugë! Çfarë do bëjnë për të jetuar? Ne nuk jemi një shoqëri e pasur.

Ne duke qenë të ashpër, më vjen keq ta them, por të ashpër kemi qenë përgjithësisht me shtresat e dobëta. Ne thellojmë problemet sociale.

Duke thelluar problemet sociale ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishte të krimit. Prokuroria, policia gjyqësore duhet të kenë një vizion dhe vizion i tyre nuk mund të jetë aplikimi i ashpër i ligjit. Jo, ne duhet të kemi vizion të gjerë mbi shoqërinë. Duhet të dimë që ligji duhet të jetë i ashpër në rastet kur vërtet duhet të jetë i ashpër.

Vetë kodi i procedurës penale të lejon të zbatosh si duhet, të mos jesh ekstrem. Ne përgjithësisht jemi ekstrem, nuk i di arsyet. Ajo që unë kam propozuar në platformë është kryerja e një studimi mbi efektet që ka hetimi penal, sanksionet e zbatuara, efektet që kanë këto sociale mbi qytetarët, efektet parandaluese pra sa na kanë ndihmuar ne për të ulur kriminalitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat