Qeveria “injoron” OSBE, AMA do të kontrollojë dhe sanksionojë mediat elektronike

Shqipëria

Qeveria “injoron” OSBE, AMA do të kontrollojë dhe sanksionojë mediat elektronike

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 15:13
Ilustrim

Qeveria shqiptare ka shpërfillur rekomandimet e OSBE-së për ligjin antishpifje. Drafti i ripunuar dhe i depozituar në Kuvend mandaton AMA-n si institucionin që do të kontrollojë dhe sanksionojë shkeljet e mediave elektronike në vend. 

Pavarësisht se OSBE i kërkoi qeverisë shqiptare që mos të jetë AMA në rolin e Gjykatësit, ekzekutivi i ka dhënë të drejtës Këshillit të Ankesave kompetenca për vendosjen e gjobave deri në  heqjen e licencës për mediat.

Aleksandër Çipa: “Rritet autoriteti censurues i institucioneve që i ndikon në mënyrë të tërthortë apo drejtpërdrejtë vetë qeveria.”

Gjergj Erebara: “Kemi një projektligj që shkel të drejtat themelore të njeriut në mënyrë të shumëfishtë dhe nuk ka asnjë dallim nga projektligji i mëparshëm.”

AMA në bashkëpunim me AKEP mund të bllokojë aksesin në internet në rastet kur shërbimet e medias elektronike dyshohet se mund të nxisin kryerjen e veprave penale, si pornografi me fëmijë, inkurajimin e akteve terroriste dhe shkelje të sigurisë kombëtare.

Aleksandër Çipa: "Në asnjë nga nenet e këtij projektligji nuk përmendet atributi vetërregullues dhe aq më tepër atributi i mekanizmave vetërregullues.”

I vetmi ndryshim që vjen në dokumentin e ri është se vendimi i AMA-s mund të kundërshtohet në Gjykatën e Tiranës.

Gjergj Erebara: “Shkeljet janë deri në 2 milionë lekë të reja dhe janë të ekzekutueshme para se të fitosh të drejtën për tu ankuar në gjykatë. Kjo është shkelja më e rëndë e këtij ligji sepse me një akt administrativ të një zyrtari ose zyrtaruci të nivelit të mesëm media online vihet në kushtet e falimentit para se të fitojë të drejtën për tu ankuar në gjykatë.”

Aleksandër Çipa: “Niveli i penaliteteve financiare që parashikon projektligji është i papërballueshëm.”

Në rast se mediat elektronike nuk respektojnë vendimin e Autoritetit të Mediave Shqiptare ato të gjobiten nga 40.000 deri në 800.000 lekë. Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë gjatë një viti dënohet me një rritje deri në 50% të shumës së gjobës. Në rast përsëritjeje më shumë se 5 herë gjatë vitit të kaluar, subjekti nuk do të përfitojë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër për një periudhë 3-vjeçare.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat