Të vetmit përfitues nga kaosi në Astir, mbledhësit e skrapit

Shqipëria

Të vetmit përfitues nga kaosi në Astir, mbledhësit e skrapit

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 16:21
Kaosi në Astir

Një ditë pas shembjes së 33 objekteve në zonën e Astirit kanë mbetur vetëm gërmadhat, një pamje që flet më shumë për një fushëbetejë. Të vetmit që kanë dalë me fitim janë grumbulluesit e skrapit. Për situatën e të martës ka reaguar dhe Avokati i Popullit, sipas të cilit dhuna mund të ishte shmangur.

Kjo është pamja që lanë pas IKMT dhe policia një ditë pas shembjes së 33 banesave në zonën e Astirit

Një gërmadhë e vërtetë e mbetur si pas një beteje.

Efektivët e policisë nuk ndodhen më në zonë, as FNSH të gatshëm për të hedhur granatat me gaz lotsjellës, as punonjësit e IKMT-së në gatishmëri për shembjen e banesave të tjera.

E vetmja pasuri që ka mbetur për disa familje janë sende të zëna poshtë betonit.

Të vetmit përfitues në këtë situatë janë grumbulluesit e skrapit që nën gërmadhat e 33 objekteve prej orëve të mëngjesit kanë nisur punën për mbledhjen e hekurishteve.

Disa prej punëtorëve janë kontraktuar nga vetë familjarët për heqjen e hekurishteve.

Për të shmangur fatin e familjeve që disa prej orendive u janë zënë poshtë betonit, banorët e tjerë që preken nga projekti kanë nisur të zhvendosin sendet e tyre.

Ndërkohë të mërkurën Avokati i Popullit në një deklaratë zyrtare, deklaroi se pas inspektimeve të kryera rezulton se ndaj banorëve është përdorur dhunë, ndërsa banorët nuk kanë mundur të heqin orenditë e sendet shtëpiake.

Sipas avokatit, situata mund të ishte zgjidhur paqësisht dhe me konsensus, ndërsa i kërkon shpjegime policisë për përdorimin e gazit lotsjellës si mjet të parë.

Sipas të dhënave zyrtare, puna do vijojë sërish me prishje të tjera, ndërsa banorët, të cilëve do u shemben shtëpitë dhe bizneset, do të duhet të braktisin lagjen ku kanë jetuar e punuar prej më shumë se 20-vitesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat