Lirohet Florenc Çapja

Shqipëria

Lirohet Florenc Çapja

Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 14:53
Florenc Çapja

Gjykata e Elbasanit ka pushuar çështjen ndaj Florenc Çapjas dhe ka vendosur lirimin e tij nga burgu.

 Vendimi vjen 5 muaj pas arrestimit të tij nga forcat RENEA në kuadër të operacionit policor të koduar "Krasta".

Policia asokohe pati deklaruar se janë dokumentuar me prova ligjore tre ngjarje kriminale të ndodhura ndër vite për të cilat ishte arrestuar Çapja.

Dënohet me 10 vite burg Shkëlzen Hasanpapaj

Po sot Gjykata e Elbasanit dënoi me 10 vjet burg Shkëlzen Hasanpapaj për atentatin ndaj Florenc Çapjes dhe Bledar Muçës në Qershor 2016 në Elbasan.

Gjykata e ka shpallur të riun fajtor për tentativë vrasje, ndërsa Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar 22 vjet burg në pretencë.

Prokurorët kërkuan nga Gjykata shpalljen e të riut fajtor dhe dënimin e tij për akuzat “Vrasje me paramendim ndaj një ose më shumë personave e mbetur në tentativë" dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”.

Ngjarja u shënua me 6 qershor të vitit 2016, kur Hasanpapaj i veshur me uniformë ushtrie sulmoi me automatik mjetin ku udhëtonin dy anëtarët e fisit të njohur për policinë e Elbasanit

Për shkak se makina ishte e blinduar, plumbat prekën vetëm Bledar Muçën që udhëtonte si pasagjer.

Nga sulmi mbeti e plagosur dhe një efektive e policisë së Elbasanit, e cila ndodhej në trotuar duke shkuar në punë.

Atentati kishte si motiv hakmarrjen seriale mes grupeve kriminale rivale në qytetin e Elbasanit.

Pas atentatit Hasanpapaj u largua drejt Holandës nga ku u ekstradua disa kohë më parë.

Ai kurrë nuk i ka pranuar akuzat, por prokuroria thotë se e ka identifikuar atë mbi bazë të gjurmëve të ADN-së në vendngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat