Basha: Shqipëria ka mbështetjen e pakursyer të liderëve evropianë

Shqipëria

Basha: Shqipëria ka mbështetjen e pakursyer të liderëve evropianë

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 20:51
Lulzim Basha

“Shqipëria dhe shqiptarët kanë mbështetjen e fortë të drejtuesve kryesorë të BE-së dhe kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në kuadër të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane, Basha zhvilloi takime me presidenten e re të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelaren gjermane, Angela Merkel, kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurtz, kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministrin e Irlandës Leo Varadkar, si dhe me drejtuesit e politikës së jashtme në Parlamentin Evropian dhe parlamentet e vendeve anëtare.

Basha tha se “kjo përkrahje është konfirmuar edhe përmes një rezolute të veçantë të miratuar në PPE, ku krahas mbështetjes për hapjen sa me parë të negociatave, përcaktohen qartë dhe detyrat që duhet të përmbushë Shqipëria, duke nisur nga zgjidhja e krizës politike”.

Kreu i PD-së tha se PPE nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut dhe miratimin konsensual nga partitë politike, të një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“PPE thekson se blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standardet evropiane, dhe bën thirrje për rezultate të prekshme dhe në kohë të hetimit të suksesshëm të përgjegjësve, përfshirë dhe politikanët, zyrtarët e shtetit”, tha ai.

Po ashtu, Basha tha se “PPE shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë duke i plotësuar vendet e tyre me gjyqtarë dhe pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019”.

“PPE shpreh shqetësim të thellë për fenomenin e vazhdueshëm të personave me rekorde kriminale që kandidohen për poste në institucione apo emërohen si funksionarë publikë në shkelje të hapur të “Ligjit të Dekriminalizimit” dhe bën thirrje për zbatim pa ekuivoke të ligjit, dhe largimin nga detyra të zyrtarëve që e kanë shkelur atë. PPE demonstron mbështetjen e qartë për integrimin europian të Shqipërisë dhe bën thirrje për zgjidhjen e krizës së rëndë politike e cila sa vjen e po thellohet me shumë”, tha Basha.

Plotësimi i kushteve, jo në letër por në realitet, sipas tij, “janë e vetmja rrugë që do të afrojë Shqipërinë me BE-në”. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë e vetmja zgjidhje, për krizën që ka mbërthyer vendin”, shtoi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat