Hap pas hapi nga përplasja/ Nga telefonata me zyrtarin e lartë, te deklarata e ambasadës së SHBA. Meta: S’ka më ambasadokraci

Shqipëria

Hap pas hapi nga përplasja/ Nga telefonata me zyrtarin e lartë, te deklarata e ambasadës së SHBA. Meta: S’ka më ambasadokraci

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 09:26
Ilir Meta

Debati për procedurën e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese arriti dje pikën më të lartë.

Aktorët kryesor të këtij debati u bënë ambasada amerikane në Shqipëri dhe Presidenca. Mëngjesin e djeshëm, selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, referuar përplasjeve mes maxhorancës dhe Presidencës për kompetencën se kush do ta emërojë një anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, i sugjeroi Kuvendit që ta dërgojë çështjen në Komisionin e Venecias për të marrë një opinion dhe cilado qoftë përgjigjja, të respektohej.

“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi interpretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”, shkruhej në reagimin e ambasadës amerikane.

Propozimin që bëri dje ambasada e SHBA-ve në Shqipëri, pak ditë më parë e bëri i pari ambasadori i Italisë, Alberto Kutilo, kur u pyet nga gazetarët për një koment. Por duket se Presidenca nuk është aspak dakord me propozimin që ngërçi me kompetencën për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese të interpretohet nga Komisioni i Venecias. Kjo u shfaq nëpërmjet zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi.

Ky i fundit paralajmëroi për një bisedë të rëndësishme të kreut të shtetit, ku sipas tij janë sqaruar veprimet e kundërligjshme të kreut të KED-së. Po ashtu, Blushi sulmoi edhe ambasadorin e Italisë, i cili e hodhi i pari në debat idenë që për këtë çështje të shprehej Gjykata Kushtetuese.

“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të kryetarit të shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtësi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor edhe për në Xibrakë!”, shkroi Blushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat