Rama: Pasi të përcjellim viktimat, të mendojmë për strehimin e banorëve të prekur nga tërmeti

Shqipëria

Rama: Pasi të përcjellim viktimat, të mendojmë për strehimin e banorëve të prekur nga tërmeti

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 08:46
Foto

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme qeverie mëngjesin e së enjtes, ku theksoi se pasi të përcillen të vdekurit e tragjedisë që goditi vendin, duhet të mendohet menjëherë për strehimin e banorëve që janë prekur nga tërmeti.

“Në Thumanë i kemi njerëzit në çadra sepse aty është një vatër e zjarrtë tragjedie. Por, së pari na duhet të përcjellim të vdekurit. Menjëherë pas momenteve të lamtumirës së dhimbshme, do të jetë gati gjithë logjistika për t’i strehuar, ushqyer dhe asistuar”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se për momentin nuk nevojë për ndihma, por duhet bërë shpërndarja dhe koordinimi i tyre në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë.

“Është një situatë me përmasa të atilla që do të kishte lëkundur shtete shumë më të mëdha sesa ne. Është bërë një superpunë, me një investim moral dhe fizik. Na ra neve dhe ne duhet ta mbajmë, nuk kemi asnjë rrugë tjetër t’i shmangemi kësaj sfide, që do të shënojë në memorien tonë një nga momentet më të pashlyeshme në çdo aspekt”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat