Tropoja mat dëmet, tërmeti bën të pabanueshme shtëpinë e familjes me 6 persona

Shqipëria

Tropoja mat dëmet, tërmeti bën të pabanueshme shtëpinë e familjes me 6 persona

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 14:22
Tropoja

Familja Katuçi nga fshati, Gurrë e Vogël në Bashkinë e Klosit ka përjetuar një makth të vërtetë mëngjesin e kësaj të marte, teksa është përballur me dëmtimin e banesës.

Familja e Ylber Katuçit prej 6 anëtarësh është detyruar të dalë jashtë menjëherë, pasi ka nisur shembja e banesës. Gjatë momentit të largimit, djali 6-vjeçar i kësaj familjeje është lënduar nga gurët që po shembeshin.

Vetë kryefamiljari, Ylber Katuçi nuk ndodhej në banesë pasi punonte në minierë. Ai është kthyer pas disa orësh për t’i qëndruar pranë familjarëve. Rikthimi në banesë për të është i pamundur pasi nuk ka asnjë siguri.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë Klos, Adelina Laçi tha se grupet e emergjencave civile po bëjnë verifikimet e të gjithë raportimeve të banorëve. Për sa i përket familjes Katuçi, Laçi tha se gjendja është e rëndë dhe se shtëpia është e pabanueshme.

Në Bashkinë e Klosit janë me dhjetra banesa të raportuara si të dëmtuara. Tre banesa janë në Njësinë Xibër në të cilat nuk mund të jetohet. Po ashtu raportime ka patur edhe në njësitë Suç e fshatrat e Njësisë Klos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat