Pompeo shpreh ngushëllimet për viktimat e tërmetit: SHBA qëndron në krah të miqve tanë në Shqipëri

Shqipëria

Pompeo shpreh ngushëllimet për viktimat e tërmetit: SHBA qëndron në krah të miqve tanë në Shqipëri

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 16:27
Michael R. Pompeo

Sekretari i Shtetit të SHBA-së Michael R. Pompeo ka përcjellë mesazhin e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë në Shqipëri.

Pompeo është shprehur se Shqipëria kujton këtë ditë të shënuar në një moment të vështirë ku vendi është goditur nga një tërmet i rëndë që ka shkaktuar edhe viktima.

“Sot, lutjet tona shkojnë për familjet e tyre, si dhe për njerëzit e plagosur. Në emër të popullit amerikan, ne ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Edhe tani, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të miqve tanë në Shqipëri”, është shprehur mes të tjerash Pompeo.

Deklaratë e plotë:

Ndërsa Shqipëria përkujton solemnisht Ditën e saj të Pavarësisë, ne përcjellim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave. Sot, lutjet tona shkojnë për familjet e tyre, si dhe për njerëzit e plagosur. Në emër të popullit amerikan, ne ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Edhe tani, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të miqve tanë në Shqipëri.

Prej rënies së komunizmit tridhjetë vjet më parë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet gjithnjë e më të fortë. Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe përgëzojnë vendosmërinë e Shqipërisë në arritjen e këtij qëllimi. Ne përshëndesim përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë reformat që synojnë forcimin e një sistemi drejtësie të pavarur. Ne vlerësojmë thellësisht kontributet pozitive të Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpresim udhëheqjen e Shqipërisë si Presidente e OSBE-së për vitin 2020.

Miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë qëndron si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti, dhe ne mirëpresim akoma edhe më shumë vite miqësie dhe bashkëpunimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat