Tërmetet, Meta: Një këshillë shumë e rëndësishme, duhet vlerësuar urgjentisht!

Shqipëria

Tërmetet, Meta: Një këshillë shumë e rëndësishme, duhet vlerësuar urgjentisht!

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 17:15
Ilir Meta

“Një këshillë shumë e rëndësishme, që urgjentisht duhet vlerësuar!” Kështu shkruan Presidenti Ilir Meta lidhur me situatën ku ndodhet vendi si pasojë e tërmeteve.

Ai ndan një shkrim nga Zef Mazi, ish-ambasador i Shqipërisë pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe ish-Asistent Special për Strategjinë i Drejtorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie.

“Ky tërmet kërkon me urgjencë testimin e godinave”- Nga Zef Mazi

Tërmeti që goditi vendin tonë para dy ditësh është një fatkeqësi e madhe natyrore, një tragjedi, që mori mjaft jetë njerëzish dhe bëri dëme të mëdha materiale. Para dy muajsh, në shtator, pati goditje të forta tërmeti, dëme të mëdha materiale, panik në popullsi. U tha se do të verifikoheshin të gjitha dëmtimet, do të riparoheshin ato dhe njerëzit do të rinisnin jetën normale të pashqetësuar. Tërmeti para dy ditësh demonstroi se nuk ishte bërë gjë, ose fare pak.

Dëmtimet e godinave, plasaritjet që pësojnë muret e shtëpive nga tërmetet, nuk janë vetëm ato që duken me sy. Ato që nuk duken, që janë të fshehura në thellësitë e mureve, nga themelet e lart, janë mjaft më të rrezikshme. Një tërmet i dytë, pasi një i mëparshëm i ka bërë gati përmes dëmtimeve e plasaritjeve qe nuk duken, i rrëzon godinat. Sot ka teknologji, pajisje të posaçme dhe njerëz të specializuar që i njohin mirë ato teknologji, që përdorin pajisjet e posaçme dhe dine t’i interpretojnë të dhënat që merren nga këto teknologji. Ekspertët e sizmologjisë, profesorët në këtë fushë, ndonëse të paktë në numër, profesorët e inxhinierisë të ndërtimit, e njohin ekzistencën dhe përdorimin e atyre teknologjive. Ata duhen pyetur për çdo gjë. Ky mekanizëm duhej vënë në lëvizje menjëherë që në shtator. Më kujtohet se Presidenti i Republikës e ngriti çështjen dhe kërkoi të lëvizej ky mekanizëm. Ajo që nuk u bë atëherë duhet bërë urgjent tani, pa humbur fare kohe.

Konkretisht e kam fjalën për përdorimin e teknikave rrezatuese përmes të ashtuquajturave Testime Jo Shkatërruese (Non-Destructive Testing – NDT). Këto teknika e teknologji përdoren gjatë ndërtimit të godinave, urave, tubacioneve të ujërave, etj., dhe ato minimizojnë ndjeshëm dëmin që mund të shkaktohet nga fatkeqësitë natyrore dhe shpëtojnë jetë njerëzish. Janë të shumta përdorimet e kësaj teknologjie (NDT) në lidhje me menaxhimin e fatkeqësive të tilla natyrore.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore është organizata unikale ndërkombëtare e specializuar për çështjen e rrezatimeve. Ajo ka ndihmuar qeveri e vende të ndryshme për të përdorur këto teknologji që bëjnë vlerësimin e integritetit të strukturave, ndërtesave, etj. Ato teknologji janë përdorur, për shembull, pas tërmeteve në Meksike, Nepal, Ekuador, etj. Në muajt e parë të këtij viti, Agjencia Bërthamore i dërgoi pajisje NDT Meksikës dhe Ekuadorit pas tërmeteve të fortë që ranë atje. Këto pajisje do të ndihmojnë hapjen e një qendre rajonale në Meksike për të ofruar ndihmë emergjente në rast fatkeqësie natyrore që mund të godasi Amerikën Latine.

Teknika më e përdorur zakonisht është radiografia industriale që perdor valet e rrezeve gama, x dhe neutrone për të testuar integritetin e strukturave civile duke mos i shkaktuar atyre as edhe një dëmtim. Ekspertët theksojnë se ato përdoren para tërmeteve për të parandaluar shembjen e mundshme në rast tërmeti, gjatë emergjencave të shkaktuara nga tërmeti për të vlerësuar shkallën e dëmtimit dhe përdorshmërinë e godinave të dëmtuara, dhe pas tërmetit në projektimin e ndërhyrjeve për rikonstruktim. Ekspertët janë gjithashtu të mendimit se kontrolli i rregullt i cilësisë të godinave me teknikat e NDT-se, gjatë gjithë jetës te tyre, përfshirë gjatë ndërtimit, ndihmon të evitosh shembjet e papritura.

Kur ndodhin fatkeqësi të tilla natyrore mund të dëmtohen rëndë qendrat historike, godinat civile/pallatet ku banojnë njerëzit, shtëpitë, godinat publike, rrjetet e shpërndarjes të ujit, etj. Megjithëse disa struktura mund të qëndrojnë në këmbë pas një tërmeti, ato mund të kenë marrë të krisura apo të çara që mund të mbarsin rreziqe të tjera të mëdha në rast se nuk zbulohen herët, me kohe dhe në rast se nuk riparohen shpejt. Me sy të lirë, pa aparatura dhe teknologji të specializuara, nga njerëz të trajnuar mirë, pa ekspertize, një gjë e tillë nuk mund të bëhet si duhet dhe e plotë. Përdorimi i këtyre teknologjive (Teste NDT) është mjaft kritik për të zbuluar defektet e fshehura në godina dhe për të ofruar mbështetje për riparimin e tyre si duhet.

Agjencia Bërthamore, në kuadrin e një numër projektesh të bashkëpunimit teknik, trajnon profesionistë në këtë fushë, ofron edhe pajisje. Ajo aktualisht ndihmon që të ngrihen rrjete, si në Amerikën Latine, në Azi dhe Paqësor, për të shkëmbyer përvoja, ekspertizë dhe pajisje kur ndodhin fatkeqësi të tilla.

Ngritja dhe pasja kurdoherë e kapaciteteve të forta kombëtare për emergjencat, përfshirë ato të përdorimit të NDT, si dhe bashkëpunimi rajonal, mund ta përmirësojnë ndjeshëm qëndrueshmërinë e strukturave civile të prekura nga tërmeti apo nga fatkeqësi të tjera natyrore. Ato teknika ndihmojnë për të gjetur dhe adresuar pasojat dhe për të mbështetur me të dhëna të sakta riparimin e pasojave. Teknikat bërthamore mund të luajnë rol thelbësor në parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe të menaxhimit të tyre.

Shqipëria është anëtare e IAEA që nga themelimi i saj para 63 vitesh. Shqipëria ka të drejtë dhe duhet të kërkojë ndihmë urgjente, të specializuar për testet NDT nga Agjencia Bërthamore në këtë rast emergjence dhe fatkeqësie të madhe natyrore dhe tragjedie kombëtare shkaktuar nga dy tërmete të mëdha radhazi. Solidariteti i jashtëzakonshëm kombëtar i popullit tonë në këto ditë fatkeqësie të madhe, si dhe ai i specializuar ndërkombëtar, duhet të pasohen urgjentisht nga hapa të mençur, profesioniste, nga shteti për të adresuar urgjent, siç duhet, me teknologji dhe mjete moderne, pasojat e këtij tërmeti të egër. Mundësitë janë, duhen përdorur të gjitha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat