Traumat pas tërmetit/ “Ndjesia sikur po lëkundemi”, flet mjekja psikiatre: Udhëzimet për të kaluar frikën

Shqipëria

Traumat pas tërmetit/ “Ndjesia sikur po lëkundemi”, flet mjekja psikiatre: Udhëzimet për të kaluar frikën

Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 06:35
Arjana Rreli

Tërmeti tragjik që la pas dhjetëra viktima dhe qindra të tjerë të lënduar, është shoqëruar edhe me trauma dhe frikë për mijëra të tjerë, në zonat e prekura të vendit tonë.

Jemi mbërthyer nga një ankth kolektiv, aq sa shumë qytetarëve qoftë edhe një lëvizje apo tronditje e vogël, iu duket sikur po bie tërmet.

Që nga dita e martë, kur vendin e goditi tërmetet, lëkundjet nuk kanë të ndalur, prandaj edhe paniku është i madh. Njerëzit nuk janë të sigurt, se si do të vazhdojë kjo forcë e natyrës që na gjeti të papërgatitur e sulmoi në befasi mekanizmat tonë emocionalë.

Arjana Rreli, Mjeke psikiatre shpjegon si duhet vepruar për të kaluar këtë gjendje.

“ E para duhet t’i rikthehemi rutinës së përditshme. Ajo që kaloi ka lënë gjurmën e vet, por nëse nuk e lëmë të kalojë, nuk mund të rigjejmë qetësinë”.

Psikiatria pohon po ashtu, se janë të shumtë njerëzit, që kërkojnë këshilla sidomos me telefon këto ditë. Veçanërisht nënat pyesin si t’i qetësojnë fëmijët.

“Gjithçka që ka lidhje më tërmetin, p.sh. ndjesia sikur po lëkundesh, frika ndaj zhurmave që imitojnë tërmetin, gjendja e ankthit, të konsiderohen aktualisht normale, mos u shqetësoni”, thekson ajo.

Qetësia është përgjigja e gjithçkaje tani, megjithëse një gjë e tillë duket se ka humbur, pas lëkundjeve të tjera pas tërmetit të madh me shkallë të pazakontë 6.4 ballë.

“Duke ju referuar tërmetin tjetër që ra dje, shumica e njerëzve u shtruan më fraktura, pikërisht se nuk e kishin ruajtur qetësinë”, tha psikiatrja e cila këshillon që t’u shpjegojmë fëmijëve çfarë është tërmeti, t’i krijojmë idenë që është i mbrojtur dhe do ta kaloni bashkë vështirësinë, të flasi më shokët dhe shoqet dhe të ushtrojë sa më shumë aktivitete sportive, për të çliruar adrenalinën këto kohë.

“Ne kemi nevojë të informohemi, por edhe informacioni ka limitet e veta. Nuk duhet të rrimë më orë të tëra, duke dëgjuar lajmë e parë video e komente. Lajmet sa vijnë e po keqësohen”, thotë Arjana Rreli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat