Gruaja e mbijetuar tregon tmerrin e tërmetit: Fluturuam me gjithë krevat nga kati i shtatë

Shqipëria

Gruaja e mbijetuar tregon tmerrin e tërmetit: Fluturuam me gjithë krevat nga kati i shtatë

Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 13:15
Yllka Osmani

Yllka Osmani, njëra nga të mbijetuarat e tërmetit ka treguar për emisionin "Historia ime", se si arriti të shpëtonte.

Yllka tregoi se ajo dhe bashkëshorti ndodheshin në katin shtatë të ndërtesës dhe nuk kishin patur mundësi të dilnin.

“Jetoj bashkë me familjen. Bashkëshorti, djali dhe vajza. Djali jetonte në katin e parë atë natë ndërsa vajza ishte në Tiranë. Ne ishim në katin e shtatë dhe ra tërmeti i dytë që ishte më i fortë se i pari.

Edhe u çuam, menduam se nuk do kishte më, por filloi i treti dhe nuk  na la kohë të bënim asgjë. Atje thamë Zot na ndihmo dhe kur pamë që fluturuam me gjithë krevat. Ra komplet ndërtesa në tokë, komplet u shkri, u bë pluhur i bardhë. Ne nuk e di kur e kemi parë veten aty, bashkëshorti që më thërriste Yllka ku je? Unë i thoja ti ku je se nuk shihej asgjë. Kur e shoh bashkëshortin të varur, kokë edhe këmbë dhe duar dhe i mbahej vetëm një pjesë e këmbës tek një pjesë solete.

Nuk  e di si i kam dhënë fuqi vetes dhe e kam tërhequr drejt vetes. Pastaj kemi ndenjur në rrënoja të sakatuar, vetëm rënkonim. Pastaj dëgjuam zëra nga lagjja që panë se ndërtesa u shkri komplet dhe thoshin jeni gjallë, flisnin, a jeni gjallë, përmendnin emrat tanë dhe pastaj na nxorën nga rrënojat. Pastaj pamë që n ga kati i shtatë ishim në tokë. Në ato moment kam mbuluar kokën me jastëk që mos shikoja vdekjen me sy”, tregoi Yllka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat