Harta e dëmeve nga tërmeti, 1183 shtëpi të shembura, 558 pallate të dëmtuara rëndë

Shqipëria

Harta e dëmeve nga tërmeti, 1183 shtëpi të shembura, 558 pallate të dëmtuara rëndë

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 14:13
Shqipëri

Shtohet harta e qarqeve të prekura nga tërmeti. Përveç Durrësit, Tiranës dhe Lezhës që janë edhe qarqet më të dëmtuara, në listë janë shtuar Dibra, Kukësi, Fieri, Elbasani dhe Berati.

Aktualisht nga strukturat shtetërore janë përllogaritur paraprakisht dëmet në Durrës, Tiranë, Lezhë, Elbasan, Kukës dhe Dibër.

Nga të dhënat e grumbulluara deri tani, 3 dhjetor 2019, zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda tha se në total kemi 1183 shtëpi të shembura, 5497 të dëmtuara rëndë dhe 3520 shtëpi të dëmtuara lehtë.

Sa i takon pallateve, 558 janë të dëmtuara rëndë dhe 335 të dëmtuara lehtë.

Dëmë janë evidentuar dhe në biznese, në ku vetëm në Tiranë janë identifikuar 146.

Dëmtime ka pasur edhe në infrastrukturën publike, me 28 shkolla të dëmtuara, 2 qendra shëndetësore dhe 15 kabina elektrike.

QARQET E PREKURA NGA TËRMETI

Qarqet më të dëmtuara: Durrës, Tiranë dhe Lezhë.

Qarqet e tjera ku ka dëmtime: Dibër, Kukës, Fier, Elbasan, Berat.

DËMET NË BANESA

Në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër, bilanci paraprak operativ deri tani (ora 12:00) është si më poshtë:

Shtëpi të shembura: 1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)

Shtëpi të dëmtuara rëndë: 5497 (Durrës 1311, Tiranë 3821, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)

Shtëpi të dëmtuara lehtë: 3520 (Tirana 3199, Dibër 73, Elbasan 248)

Pallate të dëmtuara rëndë: 558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)

Pallate të dëmtuara lehtë: 335 (Tiranë 328, Elbasan 7)

Shkolla të dëmtuara: 28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9).

Kabina elektrike të dëmtuara: 15 (Tiranë)

Biznese të dëmtuara: 146 (Tiranë)

Qendra shëndetësore: 2 (Tiranë 1, Kukës 1)

Persona të evakuuar, strehuar në hotele, çadra, qendra sociale e familje:

Të evakuuar:……………………3224

Hotele:……………………………1961

Çadra:…………………………….964

Qendra sociale:………………..867

Familje:………………………….2525

30 inxhinierë nga Kosova në Shqipëri

Voda tha se vijon me intensitet puna në terren për inspektimin e të gjithë dëmeve në banesa nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare në të gjithë qarqet e prekura.

"Duke falënderuar partnerët dhe të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, grupit të 55 ekspertëve nga Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra, Maqedonia e Veriut dhe Franca, që i’u janë bashkuar 74 ekspertëve shqiptarë, dëshiroj të njoftoj se sot i janë bashkuar edhe 30 inxhinierë nga Kosova, duke e çuar numrin gjithsej, në 159".

17 objekte të shembura

Situata për prishjen e objekteve në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, është si në vijim:

Në qarkun Durrës për periudhën 29 Nëntor-2 dhjetor janë shembur nga rreth 17 objekte, prej të cilave:

-Durrës – 9 objekte

-Thumanë – 8 objekte

Janë në proces prishje në total në shkallë Qarku 6 objekte: 5 në Durrës dhe 1 pallat në Thumanë, si në vijim:

-Akualisht po përgatitemi për prishjen e 2 objekteve, njëri 3-katësh dhe tjetri 5-katësh në Shkozet, Durrës

-Vijon prishja e një objekti 5-katësh tek Lagjja Kënetë, Durrës

-Vijon puna në prishjen e objektit 4–katësh në zonën e plazhit (pas hotel “Koral”)

-Vijon puna për prishjen e objektit 5-katësh, hotel “Ljubana”

-Vijon puna për prishjen e një tjetër objekti 4-katësh në zonën e plazhit (tek Rrota e Kuuqe)

Vijon puna për copëtimet dhe pastrimet e inerteve në këto objekte:

•Në objektitn afër Kompleksit “Tropikal

•Në shtëpinë e Familjes Reci, në qytet Durrës

•Në kompleksin “Miramare”

•Në hotel “Vila Verde”

•Në ndërtesën e Familjes Lala, në Kënetë;

•Në objektin në Rr. “Bashkimi”, Durrës

•Në objektin në Rr. “Mujo Ulqinaku”, Durrës

Në Thumanë: Aktualisht, po pritet të filloi puna për prishjen një objekti.

Në rang qarku Durrës janë 541 objekte të inspektuara deri sot në orën 12:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat