302 vullnetarë dhe 18 organizata në ndihmë të të prekurve nga tërmeti - video

Shqipëria

302 vullnetarë dhe 18 organizata në ndihmë të të prekurve nga tërmeti - video

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 17:23
Foto Ilustrim

Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit një grup i madh vullnetarësh në mënyrë individuale ose të organizuar kanë qenë në terren në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Aktualisht janë 302 vullnetarë individualë të cilët vijnë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora gjithashtu dhe një numër i madh i tyre nga Kosova, deklaroi zv. ministrja e Drejtësisë, Fioralba Caka gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Vullnetarët janë angazhuar menjëherë në terren në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti. Grupi i vullnetarëve ka qenë kryesisht në Durrës, Shijak, Krujë, Bubq etj. Për të organizuar më mirë vullnetarët dhe për të çuar ndihmat atje ku ka nevojë menduam të centralizojmë informacionin dhe për këtë arsye tek faqja e-Albania i kemi dhënë mundësi çdo qytetari, vullnetari apo organizate jo fitimprurëse të regjistrohet duke specifikuar sa herë në ditë ata mund të shërbejnë, në çfarë harku kohor dhe frekuence, në çfarë vendesh dhe çfarë shërbimi mund të japin”, shprehet Caka për ATSH-në.

Caka thekson se, “aktualisht janë 302 vullnetarë individualë të cilët vijnë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora dhe gjithashtu dhe Kosova ka një numër të madh vullnetarësh që po shërbejnë në zonat e prekura nga tërmeti. Gjithashtu kemi dhe 18 organizata jo fitimprurëse të cilat po veprojnë në terren. Mënyra sesi janë organizuar deri më tani organizatat jo fitimprurëse është se në qendrat e akomodimit ata janë munduar të krijojnë kampe ose qendra të vogla lojërash për fëmijët”.

“Pranë çdo qendre janë vendosur vullnetarë nga Urdhri i Psikologëve, ku aktualisht ka 350 psikologë të cilët po ofrojnë shërbimin e tyre të mbështetjes psikologjike në gjitha vendet ku janë akomoduar qytetarët e dëmtuar nga tërmeti. Janë mbi 1500 persona deri tani që kanë marrë shërbim psikologjik”, vijoi Caka.

Për shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti Caka shpjegon se, “po mundohemi të operojmë me dy sisteme, sistemi i parë ka qenë ai i Rezervës Shtetërore, ku çdo gjë shkon tek Rezerva Shtetërore dhe pastaj seleksionohet dhe shpërndahet sipas nevojave. Sistemi tjetër me të cilin ne po koordinojmë tani është që vet organizatat, qytetarët mund ta çojnë ndihmën direkt atje ku duhet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat