Tiranë, përvojë japoneze në përballimin e emergjencave me tërmetet

Shqipëria

Tiranë, përvojë japoneze në përballimin e emergjencave me tërmetet

Më: 5 dhjetor 2019 Në ora: 11:20
Foto Ilustrim

Krahas ndihmës në ushqime, veshje e strehim, pas tërmetit Shqipëria ka nevojë për t’u njohur me eksperiencat më të mira botërore në përballimin e emergjencave të tilla civile. Përvoja më e mirë në këtë drejtim na vjen nga Japonia, një nga vendet që përballet shpesh me luhatje të forta sizmike të tokës.

Për këtë qëllim, ka mbërritur në Tiranë profesoresha Aya Kubota, nga Departamenti i Zhvillimit Urban në Universitetin e Tokios, e cila u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ajo do të zhvillojë sot disa takime me grupet e emergjencës nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Veliaj falënderoi profesoreshën japoneze për gatishmërinë për të sjellë eksperiencën e saj, ndërsa theksoi se më shumë sesa ndihma në bazë materiale apo vlera monetare, rëndësi ka ndihma në dije, në mënyrë që të jemi të përgatitur në përballimin e situatave të tilla.

“Më e rëndësishme, përveç ndihmave të emergjencës, është dija, të pasurit njohuri dhe informacion sesi mund të mësojmë nga një vend, i cili ka kaluar tragjedi e fatkeqësi të tilla dhe nuk i ka harruar, por ka mësuar prej tyre dhe është ngritur më i fortë dhe më i përgatitur. Japonia është ekzatësisht ky vend. Ndaj, jam shumë i lumtur që një nga zërat dhe mendjet më të ndritura sot në botë, doktoreshë Kubota, është në Tiranë që të fillojmë të shkëmbejmë dije dhe informacion sesi të përgatitemi”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Doktoreshë Aya Kubota theksoi se shkëmbimi i eksperiencës japoneze do t’i shërbejë Shqipërisë, që të jetë e përgatitur për të përballuar situata të tilla.

“Japonia ka shumë eksperiencë me katastrofat dhe ne mund të kontribuojmë në zonat e prekura. Të premten, në 6 dhjetor, në Tiranë, do të kemi një simpozium akademik me profesionistë nga kryeqyteti dhe profesionistë lokalë. Ne, nënkuptoj skuadrën japoneze, do të kemi disa prezantime dhe unë shpresoj se një mundësi e tillë është një lloj hapi për një plan afatgjatë. Nëse mund ta ndajmë këtë mundësi sa më shumë që të jetë e mundur do të isha shumë mirënjohëse”, tha Kubota. 

Duke iu referuar situatës në terren, kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj theksoi se ndërtimet e bëra me punë vullnetare gjatë kohës së komunizmit janë ndërtimet që kanë shfaqur më shumë probleme, ndërsa theksoi se shumica dërrmuese e ndërtimeve të pas ‘90 kaluan një test shumë të rëndësishëm të rezistencës së tyre. 

“Shtëpitë ose pallatet në Tiranë, që u ndërtuan me punë vullnetare, me parafabrikate, me tullat silikate, me mësues dhe infermierë që ndërtonin shtëpitë e tyre sikur të ishin muratorë, nuk i qëndruan testit të kohës. Në këto zona ku u prek Tirana, nuk ishin ndërtimet e viteve të fundit, por ishin ndërtimet e fundit të komunizmit, ku materialet e varfra, me njohuri të varfra për ndërtimtarinë, na shkaktuan atë fatkeqësi. E gjithë kjo njohuri, si të dhënat që mbledhim nga terreni, por edhe mësimet që na vijnë nga Japonia, janë pasuria më e madhe për të rregulluar punët tona për të ardhmen, që mund të dalim nga gjithë kjo tragjedi e pashembullt”, tha ai, teksa falenderoi ambasadën japoneze në Tiranë për ndihmat që ka sjellë për të prekurit nga tërmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat