Besa Shahini fton të prekurit e tërmetit që erdhën në Kosovë të kthehen në Shqipëri - Bota Sot
Besa Shahini fton të prekurit e tërmetit që erdhën në Kosovë të kthehen në Shqipëri

Shqipëria

Besa Shahini fton të prekurit e tërmetit që erdhën në Kosovë të kthehen në Shqipëri

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 23:07
Besa Shahini

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, iu ka bërë thirrje të gjitha familjeve që janë në Kosovë të kthehen në shtëpitë dhe që fëmijët e tyre të vijojnë mësimin normalisht.

Ajo tregoi se si po e menaxhojnë situatën këto ditë pas krizës së tërmetit.

“I kemi tri mënyra se si po iu qasemi grupeve të njerëzve që i kanë humbur shtëpitë apo që i kanë ato të dëmtuara. E para është që ata vendosen në një hotel ku qëndrojnë përkohësisht. E dyta nëse vërtetohet që shtëpinë e ka të pabanueshme ata mund të marrin ose një qita ose bonus qira nga shteti ose qëndron më gjatë në hotel nëse shtëpia e tyre mund të rregullohet. Këto dy metoda do t’i përdorim edhe për ata që janë në Kosovë. Mesa mora vesh pjesa dërmuese janë kthyer vullnetarisht”.

“Unë jam këtu që t’iu them edhe atyre që janë në kamp e edhe atyre që janë nëpër shtëpi sepse na duhen për dy arsye. E para kemi vend ku i sistemojmë dhe e dyta na duhet dikush që ta evidentojmë dëmin që është bërë në shtëpinë e tyre sepse nëse nuk është askush aty është pak e pamundur që të futet në evidencat zyrtare”.

Shahini në Zona B tha se ministria që ajo drejton ka në kontroll situatën dhe kanë gjetur format se si nxënësit të vazhdojnë mësimin në kushte sa më normale.

“Nëse njerëzit kanë ikur nga zona e Durrësit ku kanë qenë të afektuar dhe nuk i kanë shtëpitë atëherë nëse ata kanë shkuar në Elbasan, fëmijët kanë vazhduar menjëherë mësimin në shkollat atje. Ne iu kemi siguruar çantat dhe librat. Në njëfarë mënyrë fëmijët që janë sistemuar brenda Shqipërisë janë sistemuar shumë shpejt nëpër shkollat pritëse”.

“Grupi i dytë janë ata që po qëndrojnë në hotele përkohësisht. Ne i kemi themeluar katër shkolla në hotele që kanë edhe kopshte. Janë 150 fëmijë që po mësojnë dhe aty kanë edhe shërbimet psiko-social dhe mësuesin pasdite që i ndihmon me detyrat e shtëpisë. Me këto jemi munduar që të krijojmë një ambient sa më të përshtatshëm për mësimin”.

“Dhe një nga arsyet që sot jam këtu është që t’i kthej në shtëpi sa më shumë familje që fëmijët e tyre të fillojnë të vijojnë mësimin pranë shtëpive të përkohshme apo të përhershme që do të jenë të vendosur”.

“Kemi marrë të gjitha masat që të strehojmë përkohësisht apo edhe në afat më të gjatë dhe i ftoj që të kthehen për t’i marrë evidentimet nëpër shtëpitë e tyre. Po shpresoj që e shohin këtë mesazh dhe na përgjigjen”.

Për të gjithë ata që kanë ikur edhe nga zonat që nuk u preken nga tërmeti, Shahini tha se ata nuk do të mund të përfitojnë nga situata pasi janë duke u bërë verifikime të detajuara dhe do të kthehen aty ku kanë qenë nëse janë të sigurt.

“Kjo është e vërtetë dhe ka edhe në Shqipëri që po e shfrytëzojnë këtë duke tentuar që të marrin pronë duke thënë se ju është dëmtuar shtëpia. Por kjo nuk do të ndodhë sepse po bëjmë verifikime të detajuara. Ky nuk është një plan rindërtimi dhe një plan emergjence për njerëz që kanë jetuar me qira para tërmetit apo që s’i kanë pasur kushtet jo shumë të mira”.

“Ky është një plan emergjent për familjet e prekura nga tërmeti andaj do të jemi shumë të kujdesshëm dhe do të mundohemi që t’i ndihmojmë të gjithë, por natyrisht që fokusi është te familjet që janë të prekura nga tërmeti dhe nëse kemi njerëz në këtë kamp që kanë jetuar me qira atëherë prapë do të kthehen të banojnë me qira”.

Ministrja Shahini u shpreh e bindur se situata është menaxhuar mirë nga qeveria shqiptare edhe pse ka pasë kritika.

“Ka pasë shumë gazetarë në Shqipëri që na kanë kritikuar se gjoja nuk e kemi menaxhuar mirë krizën. Përshtypja ime është se jemi në kontroll të gjithë kësaj dhe kemi mundësi t’u ofrohemi njerëzve edhe në tejkalimin e gjithë problemit që vjen pas adresimit të çështjes së vendbanimit”.

“Grupet e ndryshme civile që na kanë ndihmuar na kanë thënë se e keni situatën në kontroll, natyrisht që është e vështirë. Kur po ndodhke një fatkeqësi e tillë nuk ke tjetër opsion përveç mobilizimit. E kemi pasë të lehtë nga ky aspekt që do të thotë se nuk ka pasë dilema që duhet të zgjohemi në ora 06:00 të shkojmë në mbledhje qeverie të dalim në terren”.

“Për mua dhe ministrinë që e drejtoj duke marrë parasysh faktin që kishim në kontroll 400 mijë nxënës, pra e gjithë Shqipëria merr shërbime nga ne e kemi pasë edhe më të vështirë”.

“Ndihmë ka pasë sa të duash më shumë ishte çështje koordinimi se ku ta çojmë ndihmë dhe kush ka nevojë më shumë”.
Sipas Shahini dikasteri i Arsimit në këtë kohë krize ka qenë në dispozicion 24 orë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Nëse e kisha ndonjë informacion jo të saktë unë nuk e thosha. Nëse nuk ishim të sigurt për një shkollë që është e banueshme nuk e listonim si të tillë. Kemi qenë shumë të kujdesshëm sepse ishte e nevojshme që njerëzit ta kishin besimin se ne e kemi situatën në kontroll dhe ne e kishim”.

“Duhet ta theksoj që kemi punuar 24 orë në ditë që në ditë normale nuk mund të bëhet. Në ditët e para kemi pasë staf të ministrisë që kanë pasë pushime edhe që i kanë anuluar për të ardhur në ministri dhe e kanë bërë gjithë organizimin edhe pse nuk i kanë detyra që i bëjnë zakonisht. Mobilizimi ka qenë i hatashëm për shkak se s’kemi pasë tjetër mundësi”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat