51 viktima/ Kryeprokurori Çela në Prokurorinë e Tiranës, kërkon emrat e atyre që kanë shkelur rregullat

Shqipëria

51 viktima/ Kryeprokurori Çela në Prokurorinë e Tiranës, kërkon emrat e atyre që kanë shkelur rregullat

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 18:16
Olsian Çela

Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm, kërkon nga Prokuroria e Tiranës që të dalë me emra konkretë sa i përket atyre që kanë shkelur rregullat në ndërtesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke shkaktuar 51 viktima.

Çela i ka ofruar mbështetje drejtuesve dhe prokurorëve të Tiranës për procedimet ndaj autorëve të veprave penale dhe për t’i vënë ata para përgjegjësisë.

“Në fokus  të vecantë të takimit ishte mbështetja që Prokurori i Përgjithshëm  Z. Olsian Çela  i ofroi drejtuesve dhe prokurorëve të kësaj prokurorie  për procedimet që lidhen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26  Nëntor, përmes sigurimit të asistencës teknike dhe ekspertizës që do të ndihmojnë  në  hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve. Ai inkurajoi prokurorët të kryejnë hetime gjithëpërfshirëse, për të individualizuar autorët e veprave penale dhe për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Shumë ndërtesa u shembën në Durrës dhe Thumanë, duke shkaktuar 51 viktima, ndërkohë që ka dyshime se nuk janë respektuar kodet e ndërtimit apo nuk janë marrë masat e nevojshme pas dëmtimeve në strukturë të këtyre godinanve të shkaktuara pas tërmetit të 21 shtatorit.

Në takim është diskutuar edhe për: “probleme që lidhen me funksionimin e policisë gjyqësore, vleresimin e performancës së saj, organizimin e punes pas rritjes së numrit të prokurorëve në këtë prokurori, çështje që lidhen me zbatimin e ligjit për prokurorinë, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, ndërtimin e një sistemi efikas të monitorimit të zbatimit të ligjit në këto aspekte, si dhe u trajtuan çështje që lidhen me zbatimin e ligjit, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat