Basha akuza Ramës: Dënoi opozitën dhe do t’i mbyllë gojën medias

Shqipëria

Basha akuza Ramës: Dënoi opozitën dhe do t’i mbyllë gojën medias

Më: 18 dhjetor 2019 Në ora: 18:21
Lulzim Basha

Kryeopozitari Lulzim Basha akuzon kryeministrin Edi Rama se ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri, duke dënuar me burg ish-deputetin Ervin Salianji dhe duke miratuar paketën antishpifje në Kuvend.

Basha theksoi në konferencë se këto dy vendime, Rama i merr duke u ndihmuar nga krimi i organizuar në Shqipëri.

“Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përfshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës.  Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën”,tha Basha.

Ai tha se gjyqtari Artan Gjermeni, i cili dënoi sot pa prova Ervin Salianjin dhe gazetarin Jetmir Olldashi është as më pak e as më shumë, anëtar i bandës së Lushnjës, e cila ka nisur të gjallërohet sërish nën pushtetin e Edi Ramës.

“Për Partinë Demokratike dhe për mua personalisht, nuk ka asnjë dyshim se ushtari i bandës së Lushnjës e kishte marrë prej kohësh vendimin politik që Edi Rama e shpalli prej ditës së parë të publikimit të skandalit Xhafaj. Për ne nuk ka asnjë surprizë për hakmarrjen e Edi Ramës ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi që ekspozuan qeverinë e tij si të përfshirë direkt në trafikun e drogës”, theksoi Basha.

Partia Demokratike e konsideron vendim politik dënimin e Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në çështjen “Babale”, por Basha u shpreh se Rama i ka bërë llogaritë gabim në përballjen me opozitën.

“Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhrit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar. A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo! Dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë! Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim”, deklaroi Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat