Rindërtohen 233 banesa, i dëmtoi tërmeti i 21 shtatorit

Shqipëria

Rindërtohen 233 banesa, i dëmtoi tërmeti i 21 shtatorit

Më: 12 janar 2020 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Për 233 familje, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 21 shtatorit në Durrës, Shijak, Krujë, Kavajë apo Rrogozhinë, janë në përfundim e sipër shtëpitë e rindërtuara.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka inspektoi punimet për disa nga këto objekte në Manëz dhe zonën e ish Kënetës në Durrës. Ajo tha se strukturat e shtetit janë të gjitha të angazhuara për të sistemuar qytetarët që kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e dëmeve që shkaktuan tërmetet e 2019-ës.

“Angazhimi ynë është që asnjë qytetar të mos mbetet pa shtëpi dhe që asnjë shtëpi të mos mbetet grumbull rrënojash. 2020 është viti i rindërtimit”, tha Xhaçka.

Projekti i rindërtimit të 233 banesave po realizohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit në masën 470 milionë lekë dhe nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, programi “Emergjencat Civile” në vlerën 90 milion lekë. Ecuria e procesit po monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

“Jemi të angazhuar të gjithë: qeveria, pushteti vendor edhe qytetarët, që procesi i rëndërtimit të përfundojë në kohë, pavarësisht problematikave që kanë lidhje me procedurat, por jo vetë me to. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ka një angazhim maksimal, pikësëpari të kryeministrit dhe të Komitetit të Rindërtimit që askush të mos ndjehet vetëm dhe që ky proces sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë të përfundojë në kohën e duhur”, tha ministrja.

Punimet për shtëpitë e reja, bazuar në projektet e hartuata nga Insituti i Ndërtimit në bashkëpunim me pushtetin vendor, kanë nisur javë më parë dhe puna per perfundimin e tyre ka vijuar edhe pas vështirësive të krijuara për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit apo motit të keq gjatë muajit dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat