Marrëveshja për reformën zgjedhore, Kryemadhi: Opozita sot mori përgjegjësinë, tani në dorë e ka qeveria

Shqipëria

Marrëveshja për reformën zgjedhore, Kryemadhi: Opozita sot mori përgjegjësinë, tani në dorë e ka qeveria

Më: 14 janar 2020 Në ora: 18:09
Monika Kryemadhi

Pas marrëveshjes që u arrit sot mes maxhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare, për reformën zgjedhore vjen edhe reagimi nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Me anë të një postimi në Facebook, Kryemadhi shprehet se integrimi Evropian i Shqipërisë nuk mund të sakrifikohet për asnjë arsye, ndërsa shton se pa humbur kohë duhet miratuar një reformë zgjedhore që u mundëson shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur të lirë.

"Gjithëpërfshirja dhe dialogu politik janë të vetmet rrugë me të cilat mund të realizojmë reformat e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj pa humbur kohë të miratojmë një reformë zgjedhore që u mundëson qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur të lirë, pa presionin e bandave, intimidimin me vendin e punës dhe nën kërcënimin e levave të pushtetit.

Opozita sot mori përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve shqiptarë për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman për të bërë të mundur hapjen e negociatave në Samitin e Zagrebit. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet e saja në integrimin evropian të vendit", shkruan Kryemadhi.

Sipas saj, "Nga sot, pas dakordësisë së opozitës në unison, për të përmbyllur me konsesus dhe nën prezencën e faktorit ndërkombëtar Reformën Zgjedhore, i duhet Qeverisë dhe maxhorancës të tregojë se është e gatshme të mos mbajë më peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman. Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës pa keqpërdorur mekanizmat e saja qorre në KED apo në Parlament".

Më tej ajo shton se tani është përgjigjësia e kësaj maxhorance të bëhet gati për implementimin e Reformës zgjedhore që do të miratohet me konsesus.

"Nga sot është përgjegjësia e kësaj maxhorance që të plotësojë kushtin e vënies para drejtësisë së vjedhësëve të votave, dosja 184 dhe 339. Nga sot është përgjegjësi e maxhorancës të japë shembuj për luftën ndaj korrupsionit të saj. Dhjetra dosje të korrupsionit qeveritar janë në sirtaret e Prokurorisë.

Sot opozita, me marrjen e përgjegjësisë për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve. Shqipëria është e para! E ardhmja evropiane e saj është e para!", përfundon Kryemadhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat