Shqipëria kujton protestat e 21 janarit në Tiranë - Bota Sot
Shqipëria kujton protestat e 21 janarit në Tiranë

Shqipëria

Shqipëria kujton protestat e 21 janarit në Tiranë

Më: 21 janar 2020 Në ora: 07:03
Arkiv

Nisi si marsh i qetë protestues, por përfundoi me katër viktima. Nëntë vite më parë Garda e Republikës së Shqipërisë u tregua e dhunshme ndaj protestuesve të Partisë Socialiste, ku la të vdekur katër persona.

Gjithçka nisi rreth orës 14:00 , kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para objektit të Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej.

E gjitha u nis pas skandalit me videon Meta – Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste.

Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.

Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hyjnë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm.

Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.

Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.

Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti, nëpërmjet segmenteve të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit.

Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë.

Pas seancave maratonë, dy personat e dyshuar, ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe përgjegjësi i njësisë speciale, Agim Llupo u shpallën të pafajshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat