Për ujin, 1.5 miliardë euro/ Projekti për 10 vite edhe për rrjetin e kanalizimit

Shqipëria

Për ujin, 1.5 miliardë euro/ Projekti për 10 vite edhe për rrjetin e kanalizimit

Më: 25 janar 2020 Në ora: 15:38
Ilustrim

Shqipëria duhet të investojë të paktën 1 miliardë e gjysmë euro në 10 vitet e ardhshme për të përmirësuar furnizimin me ujë dhe rrjetin kombëtar të kanalizimit. Të dhënat janë bërë publike në strategjinë Kombëtare të sektorit ujësjellës kanalizimi, të përpiluar nga Ministria e Infrastrukturës.

Sipas dokumentit të miratuar në qeveri, për periudhën 2020-2030 Shqipëria ka nevojë saktësisht për 1 miliardë e 496 milionë euro investime, ose mesatarisht 150 milionë euro në vit.

Sipas strategjisë aktualisht, furnizimi I vendit me ujë është problematik dhe mesatarisht familjet shqiptare furnizohen me vetëm 12 orë në ditë. Ky tregues ka mbetur I pandryshuar që në vitin 2013, çka do të thotë se në 7 vitet e fundit nuk ka asnjë përmirësim për shkak të mungesës së investimeve. Megjithatë mes rretheve të ndryshme ka diferenca të mëdha. Në disa qytete koha mesatare e furnizimit është deri në 3 orë në ditë dhe aktualisht vetëm 7 shoqëri të ujësjellës kanalizimeve furnizojnë më shumë se 20 orë në ditë.

Në strategjinë paraardhëse qeveria kishte vënë si objektiv që në vitin 2017, Shqipëria të furnizohej mesatarisht me 20 orë ujë në ditë. Por ky objektiv ka dështuar për shkak të mungesës së investimeve.

Në strategji qeveria nënvizon se aktualisht 67 për qind e ujit që hidhet në rrjet humbet dhe nuk tarifohet duke mos sjellë të ardhura. Synimi I strategjisë është që përmes investimeve, pjesa e ujit pa të ardhura të ulet deri në 40 për qind brenda vitit 2030, ndërkohë që furnizimi me ujë të jetë mbi 20 orë në ditë në të gjithë territorin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat