93% e shqiptarëve të ekspozuar ndaj sëmundjeve kronike

Shqipëria

93% e shqiptarëve të ekspozuar ndaj sëmundjeve kronike

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 18:13
Foto ilustrim

93% e popullsisë shqiptare është e riskuar nga sëmundjet kronike. Sipas një studimi të Bankës Botërore me gjithë rritjen e jetëgjatësisë, rritja e sëmundjeve kronike dhe jo të transmetueshme, janë bërë një kërcënim global. Për ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik edhe në vendin tonë prevalenca e sëmundjeve kronike ka ardhur në rritje.

“Kur flasim për sëmundshmërinë dhe prevalencën, flasim për shifra që janë në rritje sepse është rritur niveli i jetëgjatësisë. Përveç mëhsimit dhe trashëgimisë ka dhe faktorë të tjerë të lidhur me stilin e jetesës, konsumimi i alkoolit, duhanit, faktor rreziku janë edhe hipertensioni dhe diabeti”.

Sipas bluzave të bardha, sëmundjet e zemrës, ato të aparatit respirator dhe tumoret janë shkaktaret kryesorë të vdekjeve në vendin tonë.

“Sëmundjet kardiovaskulare, peshën kryesore e zë hipertensioni arterial dhe në vendin tonë janë të regjistruar mbi 260 mijë individë me hipertension arterial ,peshë kryesore zënë sëmundjet ishemike të zemrës dhe aksidentet cerebro-vaskulare. Gjithashtu renditen sëmundjet endokrine, ku peshën kryesore e zë diabeti me një prevalencë të regjistruar 3.3% në popullatën tonë. Sëmundjet respiratore kronike dhe prevalenca e regjistruar është rreth 165 raste për 10 mijë banorë. Në këtë grup sëmundjesh peshën kryesore e zë asma bronikiale dhe bllokimi kronik i mushkërisë. Janë dhe tumoret gjithashtu që zënë një peshë kryesore , ku prevalenca e tumoreve është 60 raste për 10 mijë banorë, prevalancë më të lartë ka kanceri i gjirit”.

Sipas studimit të Bankës Botërore 15 milion njerëz vdesin çdo vit në botë para moshës 70 vjeç nga këto sëmundje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat