Formula për grupimet në koalicionin opozitar, Shehi ftesë Patozit, Topallit e Topit

Shqipëria

Formula për grupimet në koalicionin opozitar, Shehi ftesë Patozit, Topallit e Topit

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 17:35
Dashamir Shehi

Partitë e vogla opozitare kanë kërkuar një korrigjim specifik në reformën zgjedhore, e cila i hap mundësinë atyre që të formojnë koalicione brenda opozitës, në mënyrë që vota e tyre të maksimalizohet.

Në intervistë për report tv, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, u shpreh se palët brenda opozitës kanë rënë dakort që të mund të dalin si grupim më vete brenda koalicionit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Madje Shehi deklaroi se me këtë formulë, ka vend në opozitë edhe për partinë Bindja Demokratike të Patozit, FRD-në e Bamir Topit por edhe për figura të mirënjohura si Jozefina Topalli.

Zoti Shehi cfarë synon kjo formulë e re?

Këtu nuk ka ndonjë mister apo sekret, formula është e thjeshtë, brenda trenit të madh opozitar që ka lokomotivë PD-në, ndodhen shumë parti dhe sipas sistemit partitë e fundit kanë pak shpresë për t’u përfaqësuar. Dhe ne gjykojmë duke hapur disa kllapa duke krijuar aleanca të tjera brenda opozitës së madhe, pa i hequr asnjë votë opozitës së madhe, por vetëm duke i shtuar, shtohet mundësia që edhe ai që është në fund të ketë shanse. E dyta rregullohet edhe padrejtësia që krijon ky sistem, se mund të mbledhësh 50 mijë vota por nuk ke asnjë deputet. Me këtë lloj kllape gjykojmë që maksimizohen votat, stimulohen të vegjlit. Është formula më e mirë taktike. Falë zotit edhe PD-ja në radhë të parë, por edhe LSI-ja dhe të gjitha partitë janë dakord për maksmalizimin e votës. Edhe moralisht brenda xhepave opozitarë mund të rreshtohen forca, që nuk kishin vend deri dje. I ka të gjitha të mirat kjo punë.

E keni diskutuar me Bashën, si e priti?

Ne me zotin Basha e kemi diskutuar, ishte dakord edhe Basha. Ai është njeri inteligjent dhe e kupton që këto vota që teprojnë sërish te Basha shkojnë. Puna është të sqarojmë qytetarët që nuk e dinë se cfarë ndodh, ose ka media që thonë se këta po përçahen. Kjo është formula e vetme për t’u bashkuar të gjithë në paqe. Këtu ka vend nga Topi dhe përfunduar te Patozi dhe Topalli, lëvizjet e reja që kanë dalë apo.

Ta lexojmë si ftesë?

Po, po. Lexojeni s të doni, kjo zbut antagonizimin brenda opozitës. Ka njerëz që nuk komunikojnë, që nuk flasin me Bashën dhe Kryemadhin, kjo formulë u jep hapësirë të gjithëve. I vetmi defekt është nëse do i pëlqejë Ramës dhe mund të kuptojë se nuk ka asnjë shpresë. Kjo formulë i jep mundësi opozitarëve dhe korrigjon disa padrejtësi që bën ky sistem. Kjo e hap për parti të tjera që nuk janë ndjerë të përfaqësuara në shtratin e vet në këtë opozitë./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat