Meta: Më 2 mars popullit do t’i kthehet sovraniteti i humbur

Shqipëria

Meta: Më 2 mars popullit do t’i kthehet sovraniteti i humbur

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 09:41
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarë, duke i bërë thirrje që t’i bashkohen atij në datën 2 mars, për t’i dhënë paralajmërimin e fundit qeverisë aktuale.

Në një shkrim në Facebook, Meta thotë se kokëfortësia e qeverisë për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti

“Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë! Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie. Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, shkruan Meta.

Duke e konsideruar 2 marsin si Besëlidhja e Re, ai thotë se më 2 mars do të kthehet sovraniteti i humbur i popullit shqiptar.

“Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë. Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës. Shqipëria e para! Shqiptaria e shqiptarëve!”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat