Meta: Durimi ka kapërcyer çdo kufi, shteti i rrezikuar nga organizata mafioze në pushtet

Shqipëria

Meta: Durimi ka kapërcyer çdo kufi, shteti i rrezikuar nga organizata mafioze në pushtet

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 09:48
Ilir Meta

Kreu i Shtetit, Ilir Meta sërish ka dalë sot me një mesazh për qytetarët shqiptarë, të cilëve i kërkon që të zgjohen.

Në një postim në Facebook, Presidenti thotë se vendi është i rrezikuar nga organizata mafioze në pushtet dhe celula lokale e një organizate ndërkombëtare, që sipas tij lakmon territorin tonë.

Ilir Meta: Zgjohuni për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare për secilin prej jush dhe jo vetëm për të ardhmen e demokracisë, por dhe për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit tonë që janë më të rrezikuar se kurrë nga kjo organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme.Kjo është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t'i asgjësojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit.

Sipas Presidentit Meta, me rrëmbimin mafioz të Gjykatës Kushtetuese synohet dorëzimi de facto i sovranitetit dhe integritetit të vendit në duart e organizatës ndërkombëtare.

Ilir Meta: Duhet të kuptoni se kjo nuk është një betejë kompetencash midis Presidentit dhe mazhorancës për disa vende pune në Gjykatën Kushtetuese, por një betejë për të mos lejuar instalimin e një junte policore ku dhe vetë Gjykata Kushtetuese do të ishte de facto Policia anti-kushtetuese, përmes se cilës do realizohej ekzekutimi përfundimtar i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.

Organizata mafioze tha Ilir Meta ka kapërcyer çdo kufi, ndërsa u shpreh se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari.

Ilir Meta: Ndaj në 2 Mars çdo qytetar është i ftuar të vijë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për t'i treguar kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi dhe se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në këtë vend, nga instalimi i plotë i një tiranie anti-kombëtare siç e shikoni çdo ditë.

SHQIPËRIA E PARA!

SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat