Prezantohet ‘Harta e vuajtjeve të komunizmit’, studiuesi: Nga Jugu në Veri, 80 kampe dhe burgje

Shqipëria

Prezantohet ‘Harta e vuajtjeve të komunizmit’, studiuesi: Nga Jugu në Veri, 80 kampe dhe burgje

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 11:38
Foto ilustrim

Rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës u përkujtua nëpërmjet prezantimit të Hartës digjitale të vuajtjeve të komunizmit. Në një vend me vetëm 3 milionë banorë janë ndërtuar rreth 80 vende, kampe internimi edhe burgje, nga Veriu në Jug, nga regjimi komunist.

Në këtë 20 shkurt, që përkon edhe me 29-vjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë u prezantua “Harta e viktimave të komunizmit” në Fakultetin e Historisë edhe të Filologjisë. Në një video rreth 20 minuta Pandeli Çeço në bashkëpunim me Kujto.al sjell rreth 80 kampe internimi dhe pune të detyruar nga Jugu në Veri të vendit tonë. Kampe, në të cilat mijëra shqiptarë kanë vuajtur gjatë viteve 1944-1990. Studiuesi Erald Kapri rrëfen se kjo hartë, që prezantohet për herë të parë, ka si qëllim ruajtjen e asaj pak çka mbetur nga ajo periudhë, sa nuk është vonë.

“Është hera e parë që në mënyrë digjitale mbi Shqipërinë janë projektuar rreth 80 vend-vuajtje dhe burgje gjatë diktaturës komuniste. Mbi 90 për qind e tyre nuk janë më, për fat të keq, por përmes kësaj harte ne kemi mundësi, që t’i tregojmë njerëzve se çfarë ka ndodh gjatë diktaturës. Që nga viti 1944-1991, tregojmë se ku kanë qenë vendet e përqendrimit, kampet me tela me gjemba, vend-vuajtjet edhe burgjet e ndryshme, që shpërndaheshin në të gjithë territorin”, thotë Kapri, i cili mendon se kushdo që sheh këtë hartë, krijon përshtypjen se Shqipëria asokohe kudo ishte një burg, sepse një vend me rreth 3 milionë banorë kishte mbi 80 vende për “armiqtë”  nga Veriu në Jug.

“Vetëm se kush ishte nga Veriu dërgohej në Jug edhe anasjelltas. Statistikat për të internuarit në diktaturë nuk janë ende të sakta për shkak të mungesës së dokumenteve. Por vende, si Spaçi dhe Burreli kanë qenë vendet më të mëdha, që dërgoheshin këta njerëz. Gjithashtu në Shqipëri ka shumë vepra që janë ndërtuar me punën e papaguar të të burgosurve. Pallatet ‘Agimi’, Stadiumi “Qemal Stafa” etj., Qafë Bari, Spaçi, që sot janë në gjendje të mjeruar apo Kampi i Tepelenës kanë nevojë që të ruhen edhe të mirëmbahen, jo vetëm si muze, por edhe si një vend  ku njerëzit flasin edhe diskutojnë. Sa më shumë të ruhen prej tyre, aq më mirë është, sepse e kaluara duhet treguar. Nëse nuk tregohen nuk ruhet”, thotë Kapri.

Drejtori i KAS Albania, Tobias Rüttershoff, shprehet se plagët që ka shkaktuar komunizmi në vendin tonë janë shumë të mëdha, derisa nuk ka ende një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit.

“Një nga pikat më të rëndësishme për ne është ballafaqimi me të kaluarën, edhe pajtimi kombëtar, pajtimi i shqiptarëve. Sot është 20 shkurt që është 29-vjetori i rënies së shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë, fatkeqësisht nuk kemi akoma një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit. Është tepër e rëndësishme të kemi informacion për këto vende, ku janë kryer këto krime”, shprehet Rüttershoff.

Sipas drejtorit të KAS, Shqipëria është një vend i vogël, por mbetet për t’u bërë në zbulimin e këtyre krimeve. “Për ne është një çështje e rëndësishme që dhe të rinjtë ta marrin këtë informacion që këto krime mos të ndodhin më”, u shpreh drejtori i KAS Albania, Tobias Rüttershoff pas dokumentarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat