Fishekzjarret e politikës mundin shenjtërinë e diplomimit

Shqipëria

Fishekzjarret e politikës mundin shenjtërinë e diplomimit

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 19:16
Foto Ilustrim

“Urimet më të mira klasa e 1983-shit. Qyteti i Neë York-ut ju përshëndet. Fishekzjarret fillojnë sot. Çdo diplomë është një shkrepse e ndezur. Secili prej jush një fitil sigurese. Suksese dhe Zoti ju bekoftë!” Kështu ishte përgatitur të përfundonte fjalimin e tij ish kryebashkiaku Ed Koch, por nuk arriti pasi, siç rrëfehet, në sallën e famshme të koncerteve “Carneige Hall” ra një shkëndijë zjarri dhe të gjithë u detyruan të dilnin jashtë në rrugë për ti shpëtuar flakëve.

Një shkëndijë zjarri ra edhe në sallën e kongreseve, gjatë fjalimit të Ed Ramës, kur po uronte studentët e mjekësisë për diplomimin. Në ndryshim, asnjë nga salla nuk lëvizi ndërsa “shkëndija” u nxorr forcërisht jashtë për të mos ndërprerë fjalimin e tij para studentëve, pedagogëve e prindërve. Në fakt nuk ishte shkëndijë flake por një klithje urrejtje, që një student vendosi të “djeg” diplomën e tij për të prishur fushatën e vazhdueshme politike të qeverisë.

Sot lexova shumë komente, njerëz të indinjuar që fajësojnë studentët e tjerë që nuk dolën jashtë sallës, në mbështetje të studentit “revolucionar”. Do më kishte pëlqyer në fakt nëse do e kishin patur kthjellimin për ta bërë … Por nga ana tjetër kush jam unë që ti paragjykoj studentët pse nuk e prishën plotësisht diten e tyre më të bukur të fillimit të karrierës profesionale, pse nuk e braktisën momentin e shumëpritur të hedhjes së kapeles. Kushdo që e ka provuar e njeh fort mirë emocionin që të mbërthen në ato çaste. Besoj secili prej nesh nuk do të kishte lejuar asgjë dhe askënd që ta prish atë moment, që duhej të ishte magjik, por nuk ndodhi kështu.

Një grup shumë i madh studentësh, jo vetëm të mjekësisë siç më thanë, të cilët të diplomuar që në Korrik, kanë pritur për më shumë se 7 muaj ditën e madhe të diplomimit, me shpresën që mund ti dhuronin prindërve dhe vetes sado pak kënaqësi, pas sakrificës që kanë bërë për shumë vite. Kanë dëshirën e justifikuar për tu ndjerë protagonist për një ditë të vetme, në qendër të sallës dhe në vëmendjen e të gjithëve. Është dita e tyre dhe e meritojnë!

Por, në sallën e madhe, hasen me një fjalim të mërzitshëm, ku theksi nuk është puna dhe sakrificat e tyre për të arritur këtë moment dhe për ti shërbyer atdheut, por “puna dhe sakrificat” e qeverisë për ti mbajtur ata në Shqipëri. Njëlloj sikur të japin një kafe të hidhur dhe të thonë pije se është e ëmbël. E nëse nuk e ndjen ëmbëlsinë je thjesht një pacient që ke nevojë për mjekim. Degjenerimi është i padurueshëm, por studentët gjithsesi rezistojnë, pasi dëshira e tyre për të kurorëzuar studimet është shumë e lartë.

Minutat kalojnë dhe zhgënjimet janë të njëpasnjëshme. Janë aq shumë studentë, sa koha e mbetur pas fjalimeve nuk mjafton as ti lexohet emri ne sallë. Mjafton që janë të shkruar diku në ekran dhe kush ka dëshirë mund ti lexojë. Në vijim momenti i shumëpritur. Studentët ftohen në skenë për të marrë diplomat dhe për të hedhur kapelet. Por meqenëse janë shumë, shumë, i kërkohet të zbresin poshtë, pasi e gjithë skena duhet të shpërthejë nga fishekzjarret.

Të them të vërtetën kjo është pjesa që më vret më shumë nga gjithë shfaqja, kjo traditë pa kuptim e celebrimit të momentit të hedhjes së kapeles mes fishekzjarreve. Një moment që duhej të ishte plotësisht dedikim tek shkëlqimi i studentëve, zvanitet plotësisht nga dritat e fishekzjarreve, që në fakt veç të verbojnë dhe fshehin emocionin e tyre. Mjaft me fishekzjarre artificiale! Lejojini studentët të jenë shkëlqimi i darkës në diplomimin e tyre. Pastaj kërkojini përmbajtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat