Koronavirusi, në Shqipëri ‘avullojnë’ maskat

Shqipëria

Koronavirusi, në Shqipëri ‘avullojnë’ maskat

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 14:21
Foto Ilustrim

Përhapja e koronavirusit në Itali ka sjellë një efekt thuajse të menjëhershëm në Shqipëri.

Brenda pak ditëve, numri i qytetarëve që kanë kërkuar të pajisen me masa parandaluese është shtuar ndjeshëm.

Nga qytetarët që ecin në rrugë me maska, deri tek fëmijët në shkolla,  duket se koronavirusi në Itali ka sjellë një valë frike dhe shqetësimi në mes të qytetarëve në Shqipëri.

Në shumë farmaci madje, kanë nisur të vendosen lajmërime për qytetarët, duke i treguar që në hyrje që të mos marrin mundimin për të pyetur për maska.

Ndërkohë në Tiranë, prokuroria ka nisur një hetim pasi në farmaci është vënë re një rritje e çmimit të maskave dhe dezifektantëve, dy prej elementëve më bazikë në parandalimin e një infektimi nga gripi.

Deri më tani në Shqipëri nuk është raportuar zyrtarisht nga shteti për asnjë rast të koronavirusit. Një prej zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë u shpreh këtë martë se nga 8 raste të dyshuara me virusin që po prek botën mbarë, analizat dolën negative.

Por përtej faktit se Shqipëria nuk është prekur nga koronavirusi, sërish duket se shqetësimi i qytetarëve është i lartë, veçanërisht në qytete si Tirana Durrësi e Vlora, të cilat shërbejnë si porta hyrëse për shtetas që vijnë nga Italia drejt vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat